English

Bumçi: Gjëja më e trishtë, kur politikanin s’e gëzojnë lajmet e mia për vendin

Tiranë, 12 nëntor, NOA – “Lajmi historik për liberalizimin e vizave që përmbushi ëndrrën e një populli të tërë, që mbushi me gëzim shqiptarët brenda dhe jashtë vendit ka vënë në një pozitë shumë të vështirë kryetarin e PS, Edi Rama, i cili që prej atij momenti në të gjitha daljet e tij publike nuk fsheh dot trishtimin, zhgënjimin, nxirjen sepse të gjitha përpjekjet e tij për më shumë se një vit për të penguar këtë moment historik dështuan me turp”.

Kështu u shpreh sot në një deklaratë për shtyp, deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, duke shtuar se në këtë moment kur të gjithë shqiptarët festojnë dhe gëzojnë këtë lajm të mrekullueshëm, Ramën duhet ta vrasë ndërgjegjia për trillimin se ka 70 mijë dokumente identiteti false.

“A ju vret ndërgjegjja z.Rama dhe a do iu kërkoni falje shqiptarëve që nisët grevën e urisë dhe deklaruat në mënyrën më djallëzore, hap kutitë dhe çliro vizat, në momentin kur Komisioni Evropian do bënte propozimin e tij për t’i hapur rrugë këtij procesi”, shtoi Bumçi.

Duke përfunduar se “nuk ka gjë më të trishtë dhe më tragjike, kur realizimi i ëndrrës së një populli nuk është lajmi i mirë për një politikan”.

n.e/NOA

KOMENTE