Tiranë, 12 nëntor, NOA Update – Një projeksion fantastik sapo është shfaqur në fasadën e universitetit në sheshin “Nënë Tereza” duke i lënë pa frymë të gjithë të pranishmit për nga madhështia dhe hija që i dha koncertit “Pa Viza në Evropë”, i cili është duke u zhvilluar prej një ore në mes të tij.
I shoqëruar në fund me fishekzjarre të mëdha, ky projeksion shfaqi përmes imazhesh gjithë historinë e dhimbshme të këtij vendi, në rrugëtimin e tij të mundimshëm dyerve të Evropës ndërsa ekzistonte një mur vizash që na ndante...
***
Një festë e madhe është duke u zhvilluar prej mëse gjysmë ore në sheshin “Nënë Tereza” të kryeqytetit, ku mijëra qytetarë janë mbledhur nga të gjitha anët për të marrë pjesë në koncertin e madh festiv "Në Evropë pa Viza", të organizuar nga qeveria me rastin e liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian.
Deri tani, qytetarët e pranishëm në këtë koncert madhështor i kanë përshëndetur këngëtare të njohura si Rosela Gjylbegu apo Jonida Maliqi, e në këto momente janë duke u falur emocione djelmoshat nga Tetova të grupit “Elita 5”, aq të preferuar për publikun shqiptar.
***
Ky koncert ishte parashikuar të zhvillohej që ditën e martë, menjëherë pasi u konfirmua nga Komisioni Evropian vendimi zyrtar për heqjen e vizave me vendin tonë, por tragjedia e ndodhur mbrëmjen e së hënës të rënies së një autobusi në një humnerë pranë Fratarit, përgjatë aksit rrugor Fier-Ballsh, i prishi planifikimet rreth saj. Qeveria menjëherë reagoi duke i ndërprerë aktivitetet festive për heqjen e vizave për 48 orë, ndërsa sot qytetarët janë duke shijuar koncertin e planifikuar.
(vijon)
n.e/NOA