Vlorë, 12 nëntor, NOA – Forcat e policisë së Vlorës kanë kapur në flagrancë ditën e sotme, rreth orës 13.00’, një sasi prej rreth 250 kg lëndë narkotike, e dyshuar kanabis sativa dhe kapjen e 36-vjeçarit Bektash Kalaj, banues në Orikum.
Siç ato raportojnë për agjencinë e Lajmeve NOA, kapja e këtij personi është bërë në pikën e kalimit kufitar të Portit të Vlorës, teksa do të udhëtonte në drejtim të shtetit Italian, me mjetin tip kamion të markës “Scania” me targa TR 6932 T.
Bazuar në informacionet e grumbulluara dhe hetimet e kryera nga policia kufitare, në bashkëpunim me sektorin kundër narkotikëve, ky mjet i drejtuar nga Bektash Kalaj, u përzgjodh për kontroll të plotë.Nga kontrolli, mbi çatinë e kamionit tip frigoriferik, u vunë re disa ndërhyrje dhe mbi këtë bazë u bë hapja e shtresës së sipërme të mbulesës së kamionit, ku u konstatuan 41 pako të mëdha, me rreth 250 kg lëndë narkotike të dyshuar kanabis sativa.
Aktualisht nga strukturat e Policisë së Shtetit ndaj Bektash Kalajt po kryhen veprimet procedurale dhe materialet në ngarkim të tij do t’i kalojnë Prokurorisë për Krime të Rënda, për veprën penale “trafik i lëndëve narkotike” parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal.
n.e/NOA