English

Mesila Doda: Korrupsioni e ka kthyer Ramën në Al Kapone shqiptar

Tiranë, 12 nëntor, NOA – Pas deklaratave të bëra nga kryetari i PS-së, Edi Rama se socialistët janë ndryshe nga njerëzit e pushtetit të sotëm ka ardhur dhe reagimi i përfaqësuesve të mazhorancës.Deputetja e PD-së, Mesila Doda tha sot në një deklaratë se korrupsioni me lejet e ndërtimit e bën Ramën të ndjehet i ndryshëm.

“Është e vërtetë zoti Rama që ju jeni krejt ndryshe nga ne, se ndërsa ju pasuroheni më 100 milion Euro për një qytezë monstruoze ku firmosni në këmbim të 20% tuaj; ne ndryshojmë Shqipërinë duke dyfishuar buxhetin dhe duke shtruar një rrjet të paimagjinueshëm rrugor, duke rrëzuar murin e vizave për shqiptarët”, tha Doda.

Ajo ka theksuar se kreu i Bashkisë së Tiranës operon me ortakun tij për të marrë përqindjen e pallateve në Tiranë.

“Ndërsa përpiqeni të negocioni përqindjen që keni marrë ju dhe ortaku juaj ekonomik e politik, ndërsa ju dridhet zëri kur pohoni se sa përqindje i zhvatni kompanive të ndërtimit, si mafiozi më i madh i veshur me pushtet në këtë vend, ne arrijmë të plotësojmë rrjetin më të madh të transparencës elektronike duke marre për këtë edhe çmimin më të lartë nga OKB”, tha ajo.

Doda ka kërkuar nga organet e drejtësisë “që të zbardhin këtë aferë të turpshme, dhe brenda hetimit të tyre të shtojnë edhe pohimin e sotëm të kryetarit të Bashkisë, Al Kapones shqiptar, i cili ka kohë deri më 8 maj për të bartur peshën e tij të korrupsionit e për të mbajtur peng qytetarët e Tiranës”.

a.k/NOA

KOMENTE