Tiranë, 12 nëntor, NOA Update- Zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Ilir Meta e ka cilësuar situatën e krijuar nga përmbytjet në zonën e Shkodrës si të përkohshme. Në një konferencë të dhënë sot për mediat, Meta u shpreh se situata nuk do të ketë shtrirje të gjatë kohore, kjo falë edhe menaxhimit profesional që pu u bëhet hidrocentraleve në gjithë vendin.
“Fenomeni ishte krejtësisht i përkohshëm dhe i izoluar, menaxhimi i kaskadës së Drinit ka qenë i shkëlqyer“, tha Meta në një konferencë për gazetarët.
Ai ka theksuar se ka qenë dy ditë më parë vetë në Shkodër dhe institucionet përgjegjëse kanë marrë masat e nevojshme për të shmangur përsëritjen e situatës që ndodhi një vit më parë në këtë qark.
Ai theksoi se prurjet ujore kanë qenë në nivele minimale në Fierzë, në Vaun e Dejës dhe Koman.
“Lidhur me situatën energjetike në vend, mund t’ju them se gjithçka ka ecur sipas parashikimeve që kemi dhënë dje në konferencën e shtypit. Niveli i shkarkimeve ka ardhur gradualisht duke rënë, duke bërë të mundur që sot niveli i shkarkimeve nga hidrocentrali i Vaut të Dejës, prej gati një ore, të jetë zero. Kjo gjë ka ndikuar për një përmirësim të shpejtë të situatës kudo, duke konfirmuar edhe njëherë tjetër që fenomeni ishte i përkohshëm dhe i izoluar”, tha Meta.
a.k/NOA