English

Meta: PS po dëmton integrimin në BE për të sulmuar qeverinë

Tiranë, 12 nëntor, NOA – Zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë Ilir Meta ka akuzuar sot opozitën si përgjegjëse për mos marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian.

Në një konferencë për mediat, Meta u shpreh se duke sulmuar procesin e integrimit, opozita mendon se do të dëmtojë qeverinë. “Nëse vërtetë kanë preokupim që Shqipëria të fitojë këtë status, të vijnë dhe të votojnë për ligjet e rëndësishme dhe vendi ecën përpara pa asnjë problem”, tha Meta.

Ai ka vlerësuar marrjen e liberalizimit të vizave duke e cilësuar si një proces që u bë i mundur falë angazhimit të mazhorancës aktuale.

Duke u ndalur në raporton e Komisionit Europian, Meta theksoi se të gjithë ndërkombëtaret e dinë se problemi në Shqipëri është ngërçi i krijuar nga opozita shqiptare. Sipas tij ky ishte i vetmi problem që kritikonte raporti.

“Për çështjen e statusit është ngërçi politik, që është opozita, e cila mendon se duke dëmtuar proceset integruese të vendit, dëmton qeverinë dhe mund të përfitojë politikisht, por të gjithë e dinë se ajo është përgjegjësja kryesore për këtë situatë”, tha Meta.

a.k/NOA

KOMENTE