Sulovë, 12 nëntor, NOA/ Nga Pëllumb Gorica - Nëse udhëton për në Gramsh, në të djathtë të saj, sytë të shohin një luginë të bukur. Të udhëtosh në luginën e Devollit, në krahinën e Sulovës në këto dite vjeshte të mbushur me tinguj, freski, aromë frutash, dasma, ngjyra është e këndshme, domosdo është një kënaqësi e shumëpritur.
Siç është natyra atraktive për një vizitor të thjeshte, ashtu edhe për një adhurues të natyrës janë edhe banorët që jetojnë këtu: të dashur, mikpritës, bujar e punëtor.
Panorama e Sulovës, begatia dhe qetësia e saj, përherë ka tërhequr vëmendjen e udhëtarëve, studiuesve, historianëve shqiptar e të huaj.
Politologu, njëri prej përfaqësuesve të kulturës sonë, Eqerem Bej Vlora, 100 vjet më parë ( viti 1906) nga maja e Tomorit, në ditarin e tij “Nga Vlora në Tomor”, do të shkruante: “Sulova, një pamje mahnitëse, një zonë kodrinore e pafund me gropënaja të rrumbullakosura, me faqe të buta dhe lugina të bukura, pyje të pafund e të dendur sa të hante syri. Është një vend me toka të lërueshme dhe burime e përrenj që derdhen në lumin Devoll, fshatra të vegjël, me tradita e zakone të bukura”. Duke u shkrirë në thellësinë e natyrës së Sulovës, përjetimet janë të shumta e të larmishme sa është e pamundur t'i përshkruajmë të gjitha në këtë reportazh.
Lugina e Devollit
Ura mbi lumin Devoll është pikënisja për të hyrë në luginën e Devollit në Sulovë. Ujërat e shumta pas shiut të rënë ditëve të fundit oshtijnë poshtë këmbëve të saj. Ruga për në fshatrat e Sulovës së Poshtme shtrihet si një shirit i gjatë për kilometra, duke e përshkuar këtë luginë, ku natyra nuk ka kursyer qetësinë, klimën me kushte të përshtatshme për të jetuar e me peizazhe çlodhëse për këdo që do t’i ketë rënë rasti apo do t’i bjerë. Mjafton të shkosh një herë të vetme për të mësuar një tok gjërash. Rruga është asfaltuar vitet e fundit deri në Mollas me dëshirën për të krijuar se shpejti lidhje me Kuçovën.
Kjo luginë historikisht në shekujt e kaluar ka qenë rrugë kalimi nga Shqipëria e Mesme për në krahinat Jugore, pjesë e një prej itinerareve të vjetër, pak të njohur, që nga antikiteti. Në mendje na vijnë përsëri shënimet e udhëtarëve të huaj ...“U larguam nga Berati për në Elbasan në orën 6 të mëngjesit. U gëzova që rruga ishte shumë e keqe që kali të ecte ngadalë, përndryshe udhëtimi qe i këndshëm. Shpejt arritëm në lumin Devoll dhe vazhduam gjatë bregut të tij.Të gjithë burrat që lëronin tokën mbanin gjeverdarë (pushkë). Barinjtë e kodrave kishin martina dhe gjerdanët plot me fishekë.
Disa prej tyre ishin shumë të rinj, çunakë, fort të pashëm, të hedhur dhe sqimatarë me paraqitje krenarie sikur donin të thoshin “vëri gishtin kokës, jam unë këtu”. Kur thërrisnin ushtarë njerëzit e kësaj krahine ata shpesh e deklaronin veten të krishterë për t’u përjashtuar dhe pastaj kur vijnë tagrambledhësit për të kërkuar taksa ata i përzënë me duar thatë e me kërcënimin e armëve, duke thënë se nuk i paguajmë taksa se jemi myslimanë...”,(Edit Durham “Brengë e Ballkanasve’’)
Përditshmëria e jetës
Lumasi është i pari që të prezantohet e lugina hapet pas tij, që si shumë fshatra të kësaj krahine shtrihet përgjatë një kodre me shtëpi të bukura, kopshte dhe ara plot gjelbërim, Të tjerë fshatra Qyrkani, Selviasi, Klosi zënë vend në prehër të kodrave e në fushë me shtëpi të reja, të bukura, biznese, lokale ku gëlojnë njerëz.
Por gjëja e parë që të tërheq është larmia e relievit. Harmonizimi i vargut të kodrave shkëmbore me fushën, lumin, kodrinat, qafat, përrenjtë. Mbresëlënëse pamjet e fushës, toka e lagur dhe gjelbërimi i bimëve që shkëlqejnë nga rrezet e diellit. Kodrat e mbjella me drurë frutorë, vreshta, agrume dhe ullinj, janë mrekulli të duarve dhe mendjes së sulovarëve. Banorët, pronarë të kësaj natyre që i rrethon, mbretër të një qetësie që ia dinë më mirë vlerat. Përpara se të shkosh në Mollas shtrihet fshati Dasar.
Nga gojëdhënat dhe bisedat me banorë, apo edhe shpjegimin e mikro-toponimeve të vjetra, bëjnë të mendosh se është banuar që në periudhat më të hershme. Në fund të viteve ‘80 mori këtë emërtim. Në kohën e ndarjes ishte pjesë e disa lagjeve të Mollasit. Emërtimi Dasar u vendos pasi historianë, studiues, arkeologë, pushtetarë dhanë mendimet e tyre. Tradita historike e krahinës tregonte se duhej një emër kuptimplotë. E pagëzuan si vend i fisit ilir të Dasaretëve të lashtësisë.
Dasari i vendosur në një terren fushor-kodrinor, përrenj, kodrina të valëzuara me copëtime, ka një karakter të shpërndarë aq sa është e vështirë të rroket me një shikim e të konceptohet i mbledhur.
Mollasi ka gjithmonë gjallëri. Njerëz që venë e vijnë, hyjnë e dalin nëpër zyrat, shkollën, biznese. Ai është vendbanimi më i madh i krahinës me ndërtime të shumta. Është qendër për sulovarët e kësaj ane, njëra prej komunave të Elbasanit. Kjo edhe sepse ka një pozitë gjeografike të mirë. Ai është gjithashtu edhe vendbanimi më i gjelbëruar i krahinës. Kodrat e larta formojnë një hark të gjelbër me ullinj dhe që i jep një pamje interesante me peizazhe të bukura natyrore ngjan me një kopsht pa stinë. Kënaqësh me bukuritë e tij, por edhe dhe me çiltërsinë, respektin e dashurinë e banorëve. Është kënaqësi kur bisedon me dhjetëra sulovar të thjeshtë, bujar e mikpritës.
Normalisht kur je pranë tyre ndjenjat janë më të hapura e pa komplekse, kjo sepse kanë një lidhje të thellë me natyrën, por edhe tipareve të mira,të traditave, karakterit e virtyteve të banorëve të krahinës ë Sulovës. Dhe normalisht ndjen respekt për punën, mikpritjen dhe përballimin e halleve të përditshme familjare. Gjejmë kohën dhe bisedojmë me Me Samiun agranom, Qemalin, mësues, Fetiun, mekanik dhe pensionistin Xhevit Mëhalla ke dëshirë të bisedosh gjatë. E teksa ndahemi Xheviti na uron sulovarçe: Të dëgjofsha zonë e mirë!
Traditë në përkundje brezash
Në fshatin Kamuna lavdia e së kaluarës, patriotizmi i burrave dhe brezave për çështjen kombëtare është një vlerë e pamohueshme e këtij fshati. Si pikë referimi për lashtësinë është kalaja antike, e njohur me emrin “Kulla e Kamunaut, në një nga kodrat dominuese. Sipas dokumenteve historike dhe kujtimeve, në çdo kohë burra patriotë, luftëtarë të pushkës dhe penës në shekujt e jetës së këtij fshati kontribuan, duke luajtur rol të rëndësishëm në krahinën e Sulovës e më gjerë, pjesë e lëvizjeve patriotike, dhe për zhvillimin shoqëror të kësaj treve. Nuk është vendi për t’u zgjatur më tej, por do të përpiqem të sjellë në vëmendjen e lexuesve disa burra trima, të mençur që kanë lënë gjurmë si Xhaferr Cerriku, Merko Cërriku, Çeç Cërriku, Neim Cërriku, Riza Cërriku, Yzeir Cërriku etj. Për të sjellë ndërmend edhe kujtimet objektive të Mehdi Frashërit, ish-kryeministrit të Shqipërisë, në vitet e mbretërimit të Zogut, kur shkruante për Kamunaun. “Të nesërmen u nisëm nga Berati dhe arritëm në katundin Kamuna të Sulovës së Elbasanit. Miku im Rexhep Labi njihte një aga prej Kamunau tek i cili shkuam mysafir e na priti mirë sipas zakonit shqiptar. Impresionimi im gjatë këtij udhëtimi ishte se popullsia kishte mbledhur mjaft të holla nga shitja e produkteve të tyre me çmime fort të larta, por nga veshmbathja ndodhej keq sepse austriakët s’kishin as për vete nga shkaku i bllokimit të luftës. Në mëngjes, mbasi ra dielli, u nisëm për në Elbasan …” (Mehdi Frashëri “Kujtime”. Në Kamuna siç thonë sulovaret: Vjen erë muhabeti. Me Shyqyri Cërrikun njihemi prej kohësh.
Na ftoi për një vizitë në shtëpinë e tij dykatëshe, rrethuar me lule e pemë frutore.Në tryezën e shtruar me ushqime e pije ndenjëm gjatë, duke ngritur shëndete e kuvenduar. Xha Shyqyriu,që i afrohet të ’80, plot përzemërsi dhe natyrë çiltër,kur fliste e gjallëronte bisedën me tregimet interesante. Mysafirët e ngacmojnë me pyetje dhe ai nis e tregon, duke hyrë thellë në ngjarje që kanë lënë mbresa. E njeh mirë historinë e Sulovës me ngjarje, kohë e figura. Thotë se është rritur në konakët e fisit me këto ngjarje të vjetra.
Selita shtrihet në fund të luginës së Devollit në një hapësirë të gjerë i rrethuar nga gjelbërimi. Interesant është një pyll i vogël me rrepe, aty, ku ndahet kufiri i Sulovës me Nahijen e Beratit dhe të mbetet në mendje me qetësinë e kredhur në gjelbërim. Për vlerat më të mira që ka mbartur ky fshat, përmendet me respekt në gjithë krahinën. Njerëzit e shkolluar e punëtor, që e kanë nderuar dhe e kanë bërë të njohur jo vetëm në trevën e Elbasanit,por edhe më tej.Përmendim:Sul Sulën, Rakip Sulën, Muharrem Saden,Gani Zeqon, Neshat Halilin,Fiqiri Hoxhën,Agim Micin, Shahin Dyrmën, Qazim Sulën, Rakip Saden, Fejzi Hoxhën, Mestan Halilin,
Agim Dyrmën,Petref Halilin,Afërdita Micin(Hysa),Valentina Micin (Xheria) etj. Për aq kohë sa qëndruam në Seltë, fjalë të mira dëgjuam për Xhevdet Saden, që përpiqet sa të mundet për të bërë për fshatin e tij.
Duke dashur të themi shumë e ndjejmë se kemi thënë pak, por kemi thënë diçka për këtë zonë që edhe pse 80 km larg metropolit shqiptar jeton realitetin e saj. Largohemi për të ardhur përsëri, të përshëndetur nga kontrasti i ngjyrave që të çlodhin sytë, flladin e freskët me aromën e Hurmave portokajve, ftonjve të zverdhur në pemë. Një diell i ngjashëm si ato po perëndon, duke u zhytur tej në horizont.
NOA