English

Peter Bossman: Dua të hap rrugën për pakicat

Piran, 12 nëntor, NOA Kryetari i parë i bashkisë zezak që është zgjedhur ndonjëherë në Slloveni ka bërë betimin dhe ka marrë detyrën. Peter Bossman, i cili është lindur në Ganë, fitoi zgjedhjet në qytetin bregdetar të Piranit muajin e shkuar.

Në një intervistë për BBC-në zoti Bossman tha se shpresonte që suksesi i tij do të frymëzonte njerëz të tjerë që vinin nga radhët e pakicave.

Bossman shkoi në Slloveni në vitet 1980 kur ajo ishte ende pjesë e Jugosllavisë.

Ai thotë se kishte pasur ndërmend të kthehej në Gana pasi të mbaronte studimet në mjekësi, por ndryshoi mendje pasi u martua me një kolegen e tij mjeke, e cila ishte nga Kroacia.

Z.Bossman, a e ndjeni veten nën presion për shkak të vëmendjes së medias, jo vetëm në Slloveni, por edhe në rajon e botë, që është përqendruar në këtë qytet të vogël?

Jo. Nuk e ndjej presionin. U çudita shumë nga reagimi në botë. Në ditën e dytë apo të tretë e kuptova që kisha folur me 20-25 televizione dhe radio të ndryshme dhe atëherë e kuptova se diçka e madhe po ndodhte këtu. Por pas asaj kam mësuar ta përballoj median dhe nuk e ndjej aspak presionin.

A është e drejtë që ju përshkruajnë si "Obama slloven", apo "Obama ballkanik"? Si e ndjeni veten kur jua thonë këtë?

Sigurisht që jam i nderuar, por nuk mendoj se ky është krahasim i drejtë. Zezakët amerikanë kanë një histori plotësisht të ndryshme nga historia ime. Mendoj se ajo ku duhet të përqendrohen njerëzit nuk është ngjyra ime, por fakti që unë i përkas një pakice. Nuk është vetëm ngjyra, mund të jetë feja, mund të jetë invalid, apo një njeri që fillon diku duke qenë i pafavorizuar. Dhe unë dua të jem për ta një shembull që ju mundet të arrini sukses nëse përpiqeni.

Pirani është një qytet i vogël, që përdor si gjuhë zyrtare sllovenishten dhe italishten, por ka edhe pakica të ndryshme etnike. A është kjo arsyeja pse u zgjodhët?

Mendoj se ka arsye të ndryshme për zgjedhjen time. Mendoj se një nga gjerat kryesore është se unë jetoj këtu, njerëzit më njohin, kam punuar këtu në Piran, se tani punoj në një vend tjetër, por njerëzit më njohin mirë, më respektojnë. Dhe kjo ishte arsyeja kryesore. Njerëzit më njohin, e dinë se kush jam unë. Ata e dinë se jam një person që përpiqet të jetë i drejtë. Këto janë cilësitë që ata panë fillimisht tek mua. Nuk mendoj se njerëzit vunë re ngjyrën time, desha të thoja shumica, sepse disa e vunë re, por shumica nuk e vunë re ngjyrën time, por atë që ofroja unë. Po ofroja veten ashtu siç më njohin njerëzit, po u ofroja një qasje të re ndaj politikës dhe kjo më ndihmoi të fitoj. Kritikët thonë se nuk keni përvojë për këtë punë dhe si rrjedhim nuk jeni personi i duhur për këtë detyrë. Çfarë mund të thoni për këtë?

Shikoni, nuk ka shkollë për kryetar bashkie. Çdo kryetar bashkie që merr detyrën për herë të parë, sigurisht, që do të duhet të njohë punët e kryetarit dhe të këshillit bashkiak. Nëse je i rritur dhe ke punuar, e di se çfarë duhet të bësh dhe çfarë nuk duhet të bësh, çfarë punësh duhet të bësh vetë dhe çfarë duhet të delegosh, dhe kjo është e rëndësishme. Dhe nëse dikush është i mirë në atë që bën, a mendoni se Sllovenia mund të ketë në poste të larta, president apo kryeministër, një person që vjen nga një grup pakicë?

Mendoj se po. Ngadalë, por me siguri, sllovenët po përgatiten të pranojnë këdo, jo për shkak të ngjyrës së tij, apo racës, apo fesë, por sepse ai është një udhëheqës efikas dhe i mirë.

Ju keni jetuar në një vend që nuk ekziston më, ish-Jugosllavia. Kur shohim rastin tuaj, jeni në Piran, një qytet i vogël, me dy gjuhë zyrtare, shumë pakica të ndryshme, a është e drejtë që t'ju përshkruajmë ju si fytyrën e ndryshimit në këtë rajon të ish-Jugosllavisë?

Kështu shpresoj. Shpresoj se jam fytyra e ndryshimit. Shpresoj që ky rajon të qetësohet. Shpresoj që ky rajon të ketë sukses ekonomik. Shpresoj shumë që jo vetëm ish-republikat e Jugosllavisë, por edhe të gjithë fqinjët tanë Italia, Austria, Hungaria dhe të gjitha vendet e tjera, do të jetojnë një rajon paqësor dhe të suksesshëm.

Ju e keni origjinën nga Gana. A mendoni se pas këtyre zgjedhjeve ju do të komunikoni me vendin tuaj të origjinës edhe më shumë?

Jam bërë shumë popullor atje tani. Kam dhënë disa intervista për gazeta dhe radiostacione ganeze. Javën e ardhshme do të takohem me ambasadoren e re të vendit në Slloveni. Mendoj se është një gjë e mirë për ganën, dhe është një gjë e mirë për Slloveninë.

BBC

KOMENTE