Tiranë, 12 nëntor, NOA - Kryetari i Partisë Socialiste u shpreh se në ofertën e PS nuk është më fjala "fletë votimi", sepse sipas tij marrëdhënien e kushtëzuar me Kuvendin e zgjidh vetëm hetimi i materialeve zgjedhore.
Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së, Rama u shpreh se refuzimi i propozimit të eurodeputes Doris Pack tregon se kryeministri Sali Berisha kërkon sipas kryesocialistit, të vjedhë zgjedhjet e ardhshme.
“Kriza e sotme në vend është kriza e strategjisë së Sali Berishës për të qëndruar në pushtet me vota të vjedhura dhe për të goditur në thelb demokracinë”, tha Rama. Ai shtoi se OSBE nuk mund të rrijë dhe të bëjë sehir”, për situatën aktuale dhe tër kërkojë vetëm miratimin e Kodit Zgjedhor. Kreu i PS-së u shpreh se opozita nuk do të bëjë kthim prapa në kauzën e saj.
Sakaq, Kryetari i Partisë Socialiste ka deklaruar sot në Asamblenë Kombëtare se opozita do të organizojë një mocion mosbesimi për kryetaren e Kuvendit. Ndërkohë që nuk e ka hedhur poshtë mundësinë edhe për një mocionin ndaj qeverisë.
Ai gjithashtu ka kërkuar edhe mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për mosmarrjen e statusit të vendit kandidat.
***
Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste ka filluar sot me një minutë heshtje për tragjedinë e Sukthit ku humbën jetën 4 fëmijë. Kryetari i PS-së, Edi Rama u shpreh se ka një lidhje mes tragjedisë dhe situatës në të cilën ndodhet vendi.
“Duke ndjekur i shtangur reportazhin e asaj tragjedie, u krijua një paralel me asfiksinë sociale ku ndodhemi sot”, u shpreh Rama.
Duke folur për kryetaren e Kuvendit, Rama u shpreh se Topalli “model të vetëm ka arrogancën e kryetarit të kooperativës ku ka punuar gjatë diktaturës dhe jo elegancën e paraardhëseve të saj”.
a.k/NOA