Librazhd, 12 nëntor, NOA – Presidenti i vendit Bamir Topi ka bërë apel për përfaqësuesit e politikës shqiptare që të gjejnë gjuhën e përbashkët për kapërcimin e problemeve politike në vend.
Duke theksuar se mos marrja e statusit të vendit kandidat është një ecuri jo e mirë e procesit të integrimit të vendit, Topi ka kërkuar nga PD-PS dhe gjithë klasa politike “që të marrin përgjegjësitë politike për Raport-Progresin”.
Kreu i shtetit ka theksuar në fjalën e tij se vendosja e dialogut mes palëve do të shërbente dhe për gjetjen e një zgjidhje afatgjatë për situatën politikë në vend.
Ndër të tjera kreu i shtetit ka theksuar se nëse palët do të kishin gjetur gjuhën e dialogut më parë, sot vendi do të ishte në një situatë edhe më pozitive.
Deklarata e kreut të shtetit u bë sot nga qyteti i Librazhdit, gjatë takimit me drejtuesit lokalë të këtij qyteti dhe shoqërisë civile, institucioneve shtetërore dhe biznesin privat.
Kreu i shtetit u prit nga Librazhd nga Kryetari i Bashkisë, Kastriot Bega, dy deputetët e mazhorancës dhe opozitës, Brahim Çota dhe Taulant Balla, zëvendësprefekti i qarkut të Elbasanit, nga 11 kryetarë komunash dhe përfaqësues të pushtetit vendor, si dhe intelektualë, veteranë dhe mjaft qytetarë.
a.k/NOA