Sot me ne së bashku gëzon çdo nënë shqiptare, e cila nuk do të ndihet më kurrë e ndarë për së gjalli me bijtë e saj, por mund ti takojë, ti përqafojë ata, kudo që ndodhen në çdo vend të Evropës. Sot, me ne gëzon, çdo gjyshe, çdo gjysh i këtij vendi, i cili do të mund të përshëndesë, do të mund të takojë fëmijën e vetë, nipërit dhe mbesat kudo që ndodhen. Kurrë ndonjëherë më të denjë se sot, nuk kemi qenë
Nga Sali Berisha
We win the race!
Të dashur qytetarë dhe qytetare të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë,
Gëzuar festën
Jemi mbledhur sot të ndajmë së bashku, gëzimin, nderin, kënaqësinë e shndërrimit në realitet të ëndrrës sonë më të bukur, të ëndrrës së lirisë Evropiane.
Sot, me ne gëzojnë dhe festojnë, çdo i ri, çdo e re, çdo djalë dhe vajzë shqiptare kudo që ndodhen, në Shqipëri apo jashtë saj, sepse sot, ata ndihen më të lirë se kurrë në jetën e tyre, më të denjë se kurrë në jetën e tyre dhe se vendi i tyre, është sot më i lirë dhe më i denjë, në të gjithë historinë e tij.
Sot ne së bashku duhet të përulemi me nderim të thellë, para atyre qindra e qindrave, djemve dhe vajzave të kësaj toke, që sakrifikuan gjithçka, jetën dhe së bashku me të ëndrrat më të bukura, rininë e tyre, vetëm e vetëm për të gëzuar atë liri që ne gëzojmë sot.
Sot ne së bashku duhet të shprehim nderimin tonë më të madh, të rinjve dhe te rejave të këtij vendi, të cilët 20 vjet më parë, do të mbushnin rrugët dhe sheshet e Tiranës me thirrjet që ju buronte nga shpirti dhe zemra e tyre “Shqipëria si Evropa”.
Sot Shqipëria është si Evropa vend pa kufi, Evropa nuk është sot një tokë e ndaluar për Shqipërinë dhe Shqiptarët.
Sot me ne së bashku gëzon çdo nënë shqiptare, e cila nuk do të ndihet më kurrë e ndarë për së gjalli me bijtë e saj, por mund ti takojë, ti përqafojë ata, kudo që ndodhen në çdo vend të Evropës. Sot, me ne gëzon, çdo gjyshe, çdo gjysh i këtij vendi, i cili do të mund të përshëndesë, do të mund të takojë fëmijën e vetë, nipërit dhe mbesat kudo që ndodhen. Kurrë ndonjëherë më të denjë se sot, nuk kemi qenë.
Qytetarë dhe qytetare të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë,
Nga ky shesh në emër tuaj, le të shprehim mirënjohjen me të thelle për të gjitha qeveritë e vendeve të Bashkimit Evropian, për besimin e tyre të madh, besimin e jashtëzakonshëm që dëshmuan ndaj nesh dhe ti sigurojmë se, vendimi i tyre fisnik, do të jetë një mirësi e madhe, të cilin ne do ta ndajmë me secilin prej tyre.
Vendimin për heqjen e vizave për shqiptarët, përbën gjithashtu risinë e vërtetë të këtij kombi, në kontinentin nga i cili dekada dhe shekuj e ndanë, e veçuan pabesitë e mëdha, sot të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë, burrat dhe gratë e saj do të kenë mundësinë, si qytetarë të lirë të vizitojnë, të njohin, të shijojnë, vlerat, thesaret e çmuara të kulturës dhe qytetërimit tonë Evropian perëndimor.
Ky vendim është gjithashtu vendimi i Shqipërisë pa kufi. Shqipëria do të jetë gjithnjë e më shumë e preferuara e qytetarëve të Evropës dhe të mbarë Botës, për thesaret e saj mahnitëse, për bukuritë e saj përrallore,për miqësinë e saj, për mikpritjen e saj, më të mirën, më sublimen, më madhështoren, më jetësoren, që një komb mund të ketë në shpirtin e vet.
Rruga jonë drejt Evropës, nuk është dhe nuk ka qenë një rrugë e lehtë, nuk ka qenë si bulevardet e këtij qyteti, por rruga jonë drejt Evropës, është rruga e suksesit të vërtetë, është rruga e ndërtimit të vlerave të saj në qytete dhe fshatra, brigjet malet e Shqipërisë, është rruga e ndërtimit të Shqipërisë Evropiane, për të cilën ne, jemi të vendosur të ecim të sigurt,të sakrifikojmë dhe ta ndërtojmë atë, gjithnjë e më bukur, gjithnjë e më mirë, ta ndërtojmë atë si shtëpi e të ardhmes sonë të sigurt.
Qytetare dhe qytetarë të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë
Ne mblidhemi sot, pasi kemi arritur jo vetëm lirinë Evropiane të lëvizjes sonë, dinjitetin Evropian në lëvizjen tonë, por pasi jemi afruar më shumë se kurrë me Evropën e qytetëruar. Lajmi i heqjes së vizave për Shqipërinë vjen me lajmin e shpalljes së Shqipërisë si njëshi i botës për vitin e ardhshëm turistik. Këto lajme janë merita juaj e madhe, janë vepra e të gjithë shqiptarëve, janë mundi dhe djersa e çdo shqiptari janë dinjiteti juaj. Ndaj dhe ne le ta festojmë së bashku për Shqipërinë Evropiane, do të kemi një Shqipëri pa viza, nesër Shqipërinë Evropiane, nesër të ardhmen tonë të plotë Evropiane.
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe flamurin e saj
Zoti e bekoftë rininë shqiptare
Gëzuar!