English

Berisha-Bechtel: Rruga Durrës-Kukës, arritje historike, politike dhe ekonomike

Tiranë, 13 nëntor, NOA – Kryeministri Berisha priti sot në takim Riley Bechtel, president dhe drejtues ekzekutiv i kompanisë së mirënjohur ndërkombëtare “Bechtel”, i shoqëruar nga Valker Kimball, zv/president dhe drejtor menaxhues i kësaj kompanie.

Bechtel në emër të Kompanisë i shprehu kryeministrit Berisha përgëzimet dhe mirënjohjen për bashkëpunimin e shkëlqyer në projektin madhor të rrugës Durrës-Kukës. Ai i shprehu kryeministrit se projekti që ata realizuan në Shqipëri ishte një ndër projektet më të rëndësishëm që ai ka realizuar në karrierën e tij 21-vjeçare.

Bechtel u shpreh se në Shqipëri gjeti specialist dhe një fuqi punëtore, të cilët u përshtatën shumë shpejtë me standardet e kompanisë së tij si dhe një bashkëpunim profesional me qeverinë shqiptare në realizimin e këtij projekti sa të vështirë aq edhe interesant për kompaninë e tij.

Ai u shpreh i impresionuar me ndryshimet e ndodhura në Shqipëri këto 3-4 vitet e fundit.

Nga ana tij, kryeministri Berisha e falënderoi zotin Bechtel për cilësinë e projektit më madhor për Shqipërinë dhe rajonin që kjo kompani realizoi. Rruga Durrës-Kukës është një arritje historike, politike dhe ekonomike për të gjithë shqiptarët dhe rajonin. Ajo jo vetëm bashkoi shqiptarët por i dha një zhvillim të paparë dhe të paparashikuar ekonomisë, turizmit dhe bashkëpunimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve me rajonin.

Kryeministri theksoi se realizimi i këtij projekti madhor shërbeu si një universitet për biznesin e ndërtimit shqiptar.

“Ky projekt i dha biznesit vendas njohuri, cilësi dhe standarde pune ndërkombëtare, duke i aftësuar të ndërmarrin projekte gjithnjë ë më të mëdha. Realizmi me sukses i këtij projekti dëshmoi vërtetësinë e modelit ekonomik që qeveria shqiptare aplikoi me investime maksimale në infrastrukturë dhe taksa sa më të ulëta”, u shpreh kryeministri.

Ai theksoi gjithashtu se efekti i gjithanshëm i këtij bashkëpunimi është sot i prekshëm në këtë rrugë që të gjithë e quajnë “Rruga e kombit”, që me përfundimin e segmentit tjetër bëhet dhe rruga e rajonit e Evropës.

Kryeministri i shprehu falenderimet e tij kompanisë “Bechtel” edhe në emër të të gjithë punonjësve shqiptarë, të cilët e konsideruan eksperiencën e tyre me këtë kompani si një mësim të madh të pashlyeshëm të karrierës së tyre.

Nisur nga kjo, Bechtel shprehu interesin e tij dhe të Kompanisë për të marrë pjesë në gara të tjera për të ndërtuar vepra të tjera infrastrukturore si hekurudha apo segmente si ai i Korridorit 8; Tiranë-Elbasan apo Berat-Tepelenë etj.

Ai u shpreh se kompania e tij e konsideron gjithmonë prioritet dhe kënaqësi realizimin e veprave me impakt kaq të madh si në Shqipëri.

n.e/NOA

KOMENTE