Lezhë, 13 nëntor, NOA – Kryeministri Sali Berisha gjatë inaugurimit të rrugës së re Lezhë-Vau i Dejës ka uruar banorët e Lezhës për heqjen e vizave si një nga premtimet e realizuara të qeverisë që do t’u sjellë mundësi për të lëvizur të lirshëm drejt hapësirës Shengen të gjithë qytetarët shqiptarë.
Por, kryeministri nuk ka lënë pa akuzuar edhe shefin e opozitës, Edi Rama që sikundër tha kryeministri bëri ç’mundi vetëm për të penguar vendimin për liberalizimin e vizave.
Berisha ritheksoi se heqja e vizave ishte një vendim i merituar dhe një fitore me mund.
Kryeministri theksoi ndërkohë se Partia Socialiste u përpoq të bllokonte procesin duke hyrë në greva urie, duke bërë thirrje të hapen kutitë, por tha kryeministri, ne kutitë nuk i hapëm, por vizat i hoqëm.
Zoti Berisha theksoi se kreu i PS bën thirrje për protesta sepse, ka vetëm një qëllim, të ndalë integrimin e vendit. Berisha sqaroi se mazhoranca është e hapur ndaj kërkesave të Partisë Socialiste për transparencën e zgjedhjeve, por jo të hapur për të shkelur Kushtetutën.
“Ishte opozita e cila tentoi të dëmtojë liberalizimin e vizave, andaj për këtë arsye Edi Rama duhet t’u kërkojë falje qytetarëve, pasi falja është forma më e mirë për të treguar pendesën”, deklaroi shefi i qeverisë.
Berisha garantoi sakaq se qeveria shqiptare do të angazhohet tërësisht në drejtim të plotësimit të të gjitha kritereve të Bashkimit Evropian, për vizat, me qëllim që ky vendim i rëndësishëm të mos krijojë shqetësim për BE-në, sikundër ndodhi me serbët dhe maqedonasit, të cilët i shkelën kriteret duke kërkuar azil në vendet e BE-së.Vijon...
mit/NOA