English

Berisha: Vitin tjetër, Shqipëria do synojë një Eurobond prej 500 milionë eurosh

Tiranë, 13 Nëntor, NOA - Shqipëria ka në plan të shesë obligacione në euro vitin e ardhshëm, pas Eurobondit të krijuar në muajin e kaluar duke dashur kështu që të shlyejë borxhin e grumbulluar dhe për të mbledhur fonde për të ndërtuar rrugë, ura dhe hekurudha.

Një fakt i tillë është pohuar nga vetë kryeministri Sali Berisha në një intervistë telefonike për agjencinë e njohur ekonomike “Bloomberg”, gjatë së cilës ka deklaruar se konkretisht qeveria do të kërkojë për të rritur vlerën e Eurobondit aktual nga 300 milionë euro, në 500 milionë euro.

"Vitin e ardhshëm ne do të shkojmë në tregjet e euros, sepse ne do të dëshironim që bankat tona të kenë hapësirë për të financuar sektorin privat dhe do të kthehemi në treg në kohën më optimale", mësohet të jetë shprehur Berisha për Bloomberg.

Kjo e fundit sqaron ndër të tjera në shkrimin përkatës se vendi përgjatë Adriatikut me një popullsi prej 3 milionë banorësh, i cili po përpiqet të bëhet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, shiti bonot e tij të parë në euro më 28 tetor, në vlerën prej 300 milionë, me një interes vjetor prej 7.5 për qind.

Ndërkaq, artikulli shton sesi qeveria shqiptare kërkon t’i vërë të kapak borxhit publik, të cilin Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka identifikuar si rrezikun më të madh në rimëkëmbjen ekonomike të vendit, duke kapur kuotën prej 59 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto gjatë këtij viti.

"Një gjë është e sigurt, ne nuk do të lejojmë borxhin tonë të shkojë përtej 59 kufirit përqind. Unë nuk besoj se ka rrezik për një rritje të borxhit, por në rast se kjo ndodh, ne do të ndërhyjmë. Ne do të donim që ai të ishte në vlerë më të ulët, por edhe jemi të detyruar ndërkaq, që të investojmë ende në rrugë dhe infrastrukturë, pasi kjo është me rëndësi jetike", tha ndër të tjera lidhur me një fakt të tillë, kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha.

n.e/NOA

KOMENTE