Uashington, 13 Nëntor, NOA – “Dialogu Kosovë-Serbi nuk ka të bëjë me statusin e Kosovës sepse pavarësia e saj është kapitull i mbyllur”. Kështu është shprehur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara, Rozmari Di Carlo, ndërsa flitej për Kosovën dhe bisedimet e saj me Beogradin zyrtar, në kuadrin e diskutimit të raportit tremujor për gjendjen në shtetin më të ri të botës.
Ndër të tjera, diplomatja amerikane u bëri gjithashtu thirrje vendeve që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës që ta ndërmarrin pa asnjë hezitim këtë hap diplomatik.
“Më lejoni ta bëj të qartë se ky dialog nuk ka të bëjë me statusin e Kosovës apo integritetin e saj territorial. Kosova është një shtet sovran dhe i pavarur dhe kufijtë e saj janë të paprekshëm. 71 vende e kanë njohur deri tani Kosovën. Ne u bëjmë thirrje shteteve që nuk e kanë njohur ende atë të kontribuojnë në stabilitetin rajonal, duke e mirëpritur Kosovën në komunitetin ndërkombëtar me njohjen e tyre zyrtare”, mësohet të jetë shprehur Di Karlo në fjalëne saj para OKB-së.
Në emër të Shteteve të Bashkuara, zonja Di Karlo i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit që ta mbështesë me çdo kusht qeverinë e Kosovës në përpjekjet e saj për të ndërtuar një shtet demokratik shumetnik e të bashkuar, të përgjegjshëm ndaj të gjithë qytetarëve të tij dhe plotësisht të integruar në komunitetin ndërkombëtar.
n.e/NOA