Tiranë, 13 nëntor, NOA – Janë shuar flakët e zjarrit pranë depozitave të karburantit “ANOIL”, që ndodhet pranë Mbikalimit të Rinasit, zjarr i shkaktuar nga djegia e një autoboti me naftë gjatë kohës që ky po shkarkonte karburant.
Flakët që përfshinë autobotin e naftës pak pas mesditës vunë në lëvizje zjarrfikësit dhe policinë e kryeqytetit, të cilat mbërritën menjëherë në vendngjarje në përpjekje për të vënë nën kontroll situatën.
Policia njoftoi se flakët e shumta të autobotit u përhapën menjëherë nëpër pikën e karburantit duke djegur vetëm fasadën e tij dhe një tendë.
Zjarri i fikur në kohën e duhur nga zjarrfikësit shpëtoi djegien e depove të karburantit, që mund të hidhte në erë tërë pikën e karburantit si dhe bëri të mundur shpëtimin e punonjësve dhe uljen e dëmeve eventuale.
Por, zjarri i rënë në autobot bëri që të bllokohej edhe trafiku në autostradën Tiranë-Durrës.
Policia po punon ende për zbardhjen e rrethanave që çuan në djegien e autobotit me naftë.
mit/NOA