English

Francezët dhe revolucioni i radhës

Franca është një vend ku qytetarët e saj vijojnë ta shohin shtetin në të njëjtën mënyrë si adoleshentët shohin prindërit e tyre. Në të vërtetë, kur sheh studentët e shkollave të larta duke shprehur vrazhdësinë dhe urrejtjen e tyre ndaj planeve të Sarkozysë për të rritur paksa moshën e daljes në pension, të bëhet gjithçka e qartë. Protestuesit janë të vetëdijshëm se kërkesat e tyre – atyre që i mbahen, janë krejt të pabaza

Nga Europian Voice

Shumica e francezëve të sotëm janë të mendimit se rritja e moshës së daljes në pension është e nevojshme. Ndërkohë, afro 70 për qind prej tyre mbështesin demonstruesit që kundërshtojnë reformat modeste të ndërmarra nga qeveria e presidentit Nicolas Sarkozy. Francezët po nxjerrin rishtas në pah traditën e çuditshme për të përdorur mjetet revolucionare, për të shprehur prirjet e tyre ekstreme konservatore. Ndryshe nga pararendësit e tyre në vitin 1968, demonstruesit e sotëm nuk janë në rrugë për të mbrojtur një të ardhme ndryshe dhe më të mirë. Ata janë atje për të mbrojtur ‘status quo’-në dhe për të shprehur nostalgjinë e tyre për të shkuarën dhe drojën për të ardhmen. Lëvizja reaksionare / revolucionare shihet më shumë si një kundër-lëvizje ndaj pasojave të pashmangshme të globalizmit, por që mbetet pagabueshmërish franceze. Franca është një vend ku qytetarët e saj vijojnë ta shohin shtetin në të njëjtën mënyrë si adoleshentët shohin prindërit e tyre. Në të vërtetë, kur sheh studentët e shkollave të larta duke shprehur vrazhdësinë dhe urrejtjen e tyre ndaj planeve të Sarkozysë për të rritur paksa moshën e daljes në pension, të bëhet gjithçka e qartë. Protestuesit janë të vetëdijshëm se kërkesat e tyre – atyre që i mbahen, janë krejt të pabaza. Megjithatë, për ta janë kërkesa të përligjura dhe që kësaj rruge duan t’i shkojnë deri në fund. Po nëse Franca po demonstron në faqe të botës në emër të “një jetë më të mirë”, ku kjo ‘jetë’ nuk lidhet edhe aq me “Kombin e Madhështisë” se sa me “Kombin e Lumturisë”, dhe qytetarëve të saj ua pret mendja si të jetojnë mirë, ndaj edhe dëshirojnë të gëzojnë një “jetë të dytë sa më të gjatë” pas daljes në pension. Në këtë këndvështrim, Franca po bëhet udhëheqësja e një Revolucioni të Ri Evropian, një revolucion që nuk mbështetet te parimet e lirisë, barazisë dhe vëllazërimit, por në parimet e kënaqësisë. Në këtë mënyrë, francezi kërkon të udhëheqë evropianët në synimin e tyre për t’u kthyer në muzeun e “jetës më të mirë” dhe për t’u përqendruar te turizmi. Franca duhet të mbete gjithnjë modeli i alternativave! Por, ky këndvështrim ironizues i Francës së ditëve të sotme është mjaft i thjeshtëzuar apo romantik dhe nuk të mundëson të kuptosh ngërthimin e frikës me pakënaqësinë sociale që tashmë shquhet qartë. Në këtë ngarendje dëshpërimi, Franca shpreh një sëmundje të thellë të ‘ekzistencializmit’. Ata duket sikur na shtrojnë pyetjen: “Nëse më pas nuk do të jemi madhështorë, pasi të tjerët po na e kalojnë, a mundemi vallë të jemi të lumtur? Kundërshtimi i tyre ndaj çdo lloj ndryshimi nuk pasqyron vetëm mohimin e realitetit. Është njëherazi edhe kundërshtia ndaj një njeriu, Sarkozysë, që mishëron në sytë e tyre gjithçka me të cilën ata nuk pajtohen. Si mundet vallë një njeri që përfaqëson “biznesin e madh”, apo që thjesht shkon pas parasë, të guxojë t’u kërkojë atyre të bëjnë sakrifica për Francën? Ditëve të sotme, pasioni i francezëve për barazi peshon më shumë se pasioni i tyre për liri, dhe kështu vënë në rrezik ardhmërinë e francezëve. Fati i atyre që nisën punë në moshë fare të re, apo ai i një gruaje që ndërpret punën për shkak të rritjes së fëmijëve, po përdoret si një argument kundër reformave. Megjithatë, ky është thjesht një alibi që u mundëson francezëve të ngrenë zërin se ata, ‘në parim’, nuk janë kundër reformave, por, reformat që u janë propozuar janë padrejtësia vetë. Kjo betejë e kokëfortësive mbete ende e hapur. Vras mendjen nëse edhe qeveria franceze do ta fitojë apo jo këtë betejë. Ndërkohë, Sarkozya do të përballet edhe me një betejë të mundimshme për t’u rizgjedhur. Francezët nuk e kanë ndarë ende mendjen për të zgjedhur mes mbrojtjes së botës së vjetër dhe përballjes me sfidat e një botë të globalizuar. E thënë troç, duket më e lehtë të shpjegosh, se sa të kuptosh këtë mënyrë sjelljeje.

KOMENTE