English

Haxhinasto-Dinosha: Lëvizja e lirë, hapa konkretë me Malin e Zi

Tiranë, 13 nëntor, NOA – Pas marrjes së statusit kandidat nga Mali i Zi, në të njëjtën ditë, kur ky status iu refuzua Shqipërisë përmes opinionit negativ të Komisionit Evropian, për mospërmbushje të kritereve të Kopenhagenit dhe mosgjetjes së kompromisit për zgjidhjen e krizës së tejzgjatur politike mes mazhorancës dhe opozitës, dhe mosfunksionimit të parlamentit, Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve në Malin e Zi, Ferhat Dinosha ka mbërritur në Tiranë për të diskutuar mbi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Malit të Zi si dhe për të eksploruar mundësi të reja për intensifikimin e tyre.

Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto e ka uruar ministrin Ferhat Dinosha për marrjen e statusit të vendit kandidat, nga Mali i Zi, një vendim që sikundër tha ministri Haxhinasto i gëzon shqiptarët me urimin që fqinjët të jenë sa më shpejt anëtar i tryezës së BE-së.

Pas takimit me ministrin malazez, të të Drejtave të Njeriut dhe Minoriteteve, Ferhat Dinosha, ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto u shpreh se “gjatë takimit vlerësuam se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Malit të Zi janë të shkëlqyera dhe një model për të gjithë vendet e rajonit”.

“Ne identifikuam disa çështje ku mund të bëjmë progres dhe hapa konkretë, veçanërisht në drejtim të projekteve të përbashkëta të infrastrukturës, të njohjes reciproke të diplomave dhe të lëvizjes së lirë të qytetarëve në të dy anët e kufirit, duke përdorur vetëm dokumenta identifikimi”, theksoi zoti Haxhinasto.

Gjatë takimit mësohet se bashkëbisediuesit kanë vlerësuar rolin e shqiptarëve në rajon si dhe vlerësimin e merituar për lëvizjen tashmë të lirë të tyre në vendet e BE-së, një vizion ky që sipas Haxhinastos dhe Dinoshas do të krijojë një përshpejtim të proceseve integruese në të gjithë rajonin e Ballkanit.

Në takim merrte pjesë edhe kryetari i komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga dhe ambasadori i Malit të Zi në Tiranë, Zeljko Peroviç.

Ministri malazez për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve theksoi sakaq se Mali i Zi shpreh vullnetin e mirë për të vazhduar bashkëpunimin mes Podgoricës dhe Tiranës, si dhe gatishmërinë e rikonfirmuar për të intensifikuar bashkëpunimin në të gjitha fushat me Shqipërinë.

“Për këtë gjë më vjen mirë si Ministër i Qeverisë së Malit të Zi, si shqiptar, edhe si kryetar i partisë më të fortë të shqiptarëve atje, që është Unioni Demokratik i Shqiptarëve. Shqiptarët, në të gjithë shtetet ku jetojnë janë të angazhuar për integrimin europian dhe euroatlantik të rajonit. Shtetet tona tashmë tregojnë gatishmëri për të vazhduar këtë rrugë për integrimin e shqiptarëve mes tyre dhe në Evropë”, vlerësoi ministri malazez, Dinosha.

mit/NOA

KOMENTE