Tiranë, 13 nëntor, NOA – Përfundimi me sukses i procesit për liberalizimin e vizave për Shqipërinë si edhe opinioni i KE-së për statusin e vendit kandidat e marrëdhëniet rajonale apo ato në kuadër të NATO-s, ishin në qendër të takimit që zhvilloi sot në Tiranë, ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto me një delegacion danez të kryesuar nga eurodeputetja Britta Thomsen, të cilët kanë mbërritur për një vizitë në Tiranë.
Gjatë takimit, ministri Haxhinasto, u shpreh se qeveria shqiptare e konsideron liberalizimin e vizave një hap shumë të rëndësishëm në proçesin e integrimit evropian.
Ai nënvizoi angazhimin e qeverisë shqiptare për të vënë në zbatim të gjithë prioritetet e vendosura në raportin analitik të fundit të Komisionit Evropian dhe për të shfrytëzuar të gjitha rrugët ligjore për zgjidhjen e ngërçit politik.
Ministri Haxhinasto theksoi se sfidat e ardhshme janë reformat në sistemin e drejtësisë, forcimi i institucioneve të pavarura dhe bërja e reformës elektorale në bashkëpunim me opozitën dhe në përputhje me rekomadimet e raportit të fundit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet.
Interesimit të palës daneze lidhur me marrëdhëniet rajonale, Ministri Haxhinasto iu përgjigj se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë përbëjnë një interes kombëtar të Shqipërisë dhe janë një nga prioritetet e politikës së jashtme të saj.
Delegacioni danez shprehu interes edhe për politikat e ndjekura nga qeveria shqiptare për nxitjen e investimeve të huaja dhe eksperiencat e angazhimit të Shqipërisë në NATO.
Delegacioni danez përbëhej nga deputetja daneze Britta Thomsen, Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Evropiane me qendër në Bruksel, Diogo Pinto, dhe drejtues të Lëvizjes Evropiane, që operon në Danimarkë.
mit/NOA