English

Ngjela: Opozita e Bashkuar, nga e diela nis protestat popullore për rrëzimin e Berishës

Tiranë, 13 nëntor, NOA Update –Pa përcaktuar vendin dhe orën, tryeza e Opozitës së Bashkuar, vendosi që të dielën, pra në 14 nëntor të nisin protestat popullore në mbarë vendin për rrëzimin e qeverisë së Sali Berishës.

Pas bashkëbisedimit mes aleatëve, përfaqësuesi i Opozitës së bashkuar, kreu i partisë për Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela deklaroi për mediat se opozita ka vendosur të rrëzojë qeverinë me protesta në çdo rreth të Shqipërisë, pasi sikundër tha Ngjela, Berisha po bën një grusht shteti të fshehtë për të shtrirë kontrollin mbi të gjitha institucionet e pavarura në Shqipëri, si një bandë që grabit të drejtat e të gjithë qytetarëve.

“Tryeza e opozitës së bashkuar pasi dëgjoi vendimet që ka marrë Asambleja e PS, nëpërmjet kryetarit të saj, sot vendosi që këtë gjendje të rëndë, shumë të rëndë ta ndryshoj, në një aksion shumë të madh politik. Për një lëvizje masive protestash në të gjitha qarqet e Shqipërisë”, theksoi Ngjela.

Ai tha se pas manipulimit të zgjedhjeve, moshapjes së kutive, Sali Berisha po kërkon në mënyra banale dhe antidemokratike të vërë në dorë të gjithë institucionet dhe po i rrëzon një nga një të gjitha, me përjashtim të Presidentit të Republikës.

“Në këto kushte, - deklaroi Ngjela, - ne vendosëm t’i drejtohemi opinionit publik për rivendosjen e demokracisë në Shqipëri dhe rrëzimin e kësaj qeverie sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Sipas tij, kjo ndodh “sepse nuk ka asnjë perspektivë për shqiptarët në një moment të tillë kur korrupsioni, krimi i organizuar dhe banditizmi në pushtet godet shoqërinë në të gjitha skutat e saj dhe nuk lejon dinjitetin njerëzor të përparojë”.

“Festat dhe mitingjet që bën janë palaçollëqe diktaturash. Refuzimi i statusit për integrimin europian nuk është gjë tjetër veçse mospranimi i Sali Berishës dhe qeverisë së tij të marrë pjesë në perëndim. Arsyet i dini mirë, janë ato që kanë 15 vjet që janë në rend të ditës. Ne nuk mund të lejojmë më që fryma e popullit të jetë e veçuar nga opozita”, tha më tej Ngjela.

Në fund, ai shtoi se opozita do mbështesë frymën e popullit.

“Frymën që patë në Dukat për të mbrojtur të drejtat dhe i bënë thirrje të gjithë njerëzve që janë të prekur në të drejta, në dinjitet, në pronë, në gjithçka që shikojnë të bëhen pjesë e kësaj lëvizje e cila që nesër fillon e merr formë në të gjithë Shqipërinë. Derisa të vijnë në një ditë të caktuar për të ardhur në Tiranë, ashtu siç kemi vendosur dhe kemi bërë herët e tjera”, përfundoi ai.

Pyetjet e gazetarëve ndaj Ngjelës:

Në Dukat u godit shteti me gur zoti Ngjela?

Bandat goditen me çdo mjet. Shqiptarët duhet të jenë aktiv për të mbrojtur të drejtat e tyre sepse kjo është një grabitje e madhe.

Zoti Rama i ka lënë një kohë zotit Berisha për t’iu përgjigjur kërkesës së tij?

Ne kemi vendosur që të mbështesim mocionet e mosbesimit në parlament dhe përgjigjen për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore. Kutitë e tjera nuk i duam.

Ndërkohë ju do vazhdoni të protestoni?

Protestat do vijojnë.

Ju thoni që kutitë e tjera nuk i duam. A jeni gati që të zbatohet nenin 178 të kodit zgjedhor?

Ne jemi gati të mbështesim frymën e popullit për të kthyer grabitjet. Janë manipuluar votimet dhe po grabitet Shqipëria. Ky është mendimi ynë, kush do të na mbështesë do të na mbështesë. I kërkojmë opinionit publik mbështetje të plotë për të shpëtuar demokracinë, që siç e ka thënë edhe një ambasador i rëndësishëm është në rrezik. Madje ne mendojmë që jo se është në rrezik por është e dominuar totalisht si grusht shtetit i fshehtë.

mit/NOA

KOMENTE