English

Opozita e Bashkuar: Të dielën nisin protestat për rrëzimin e Berishës

Tiranë, 13 nëntor, NOA – Menjëherë pas mbylljes së takimit të aleatëve të Partisë Socialiste, të grupuar në lëvizjen e Opozitës së Bashkuar, kryetari i Partisë për Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela ka deklaruar se opozita do të nisë që nesër protestat masive në mbarë vendin me qëllimin e përcaktuar, rrëzimin e qeverisë së Sali Berishës.

Në një prononcim për mediat Ngjela vëri me dije vendimin e Opozitës së Bashkuar, për nisjen e protestave, duke theksuar se me këtë nismë pretendojnë të ndryshojnë gjendjen e rëndë politike dhe ekonomike e shoqërore në vend.

Do kërkojmë përmes protestash në të gjithë vendin, rrëzimin e qeverisë berisha, tha kreu i PLD-së, duke pohuar se kryeministri Berisha po bën një grusht shteti të fshehtë duke tentuar të kapë të gjitha institucionet e vendit.

Duke vënë theksin në nisjen e protestave të cilat do t’i japin formë lëvizjes së Opozitës së Bashkuar, zoti Ngjela bëri me dije se protesta më e madhe e opozitës do të shpaloset në Tiranë.

Ngjela nënvizoi se Opozita e Bashkuar do të mbështesë mocionet e mosbesimit për qeverinë Berisha dhe kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli, si një akt demokracie.

Ai ritheksoi se opozita nuk kërkon hapjen e kutive të fletëve të votimit, duke ritheksuar se qeveria i ka manipuluar zgjedhjet e 28 qershorit.

Kryetari i Partisë për Ligj e Drejtësi, e krahasoi festën e një nate më parë për heqjen e vizave dhe lëvizjen e lirë, një festë e realizuar nga qeveria, si palaçollëqe diktaturash.

Në fakt një festë e tillë, e cila u shty për disa ditë për shkak të aksidentit fatal në rrugën Ballsh-Tepelenë, ku pas rrëzimit të autobusit të linjës Tiranë-Athinë humbën jetën 9 vetë dhe 41 të tjerë u plagosën, mund të duket cinike dhe groteske, pasi ndodhi pikërisht pas ngjarjes tragjike të vdekjes nga asfiksia të katër fëmijëve nga djegia e një qiriri, që i ndihmonte për të parë në mungesë të dritës.

Në kontekstin e lëvizjes së lirë, humbja tragjike për pak dritë e katër fëmijëve është panorama më e vërtetë e varfërisë dhe e pamundësisë për familje të tëra shqiptare që vuajnë përditë në kufijtë e skamjes, një varfëri e cila zë vend në të tëra foltoret e opozitës.

Tryeza e aleatëve të PS-së u mblodh sot në mesditë për të caktuar ditën e nisjes së protestave popullore në të gjitha qarqet e vendit.

mit/NOA
KOMENTE