Tiranë, 13 Nëntor 2010 NOA – Një i ri i cili ishte në krye të detyrës, është plagosur pasditen e sotme në një lokal në dalje të Tiranës, dhe burime jozyrtare policore thonë se autor i dyshuar është truproja i një personi të njohur.
I plagosuri është Behar Ruçi, 23 vjeç me banim në rrethin e Tiranës, kurse autor i dyshuar i ngjarjes, F.S., rreth 30 vjeç me banim në Tiranë.
Policia refuzoi të konfirmojë detaje mbi ngjarjen dhe të dyshuarin, por burime jozyrtare thanë se i shoqëruari është badigard i një personi VIP në Tiranë.
Bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur për shkak të një zënke banale në lokalin e njohur bar restorant “Nëna Mbretëreshë” që ndodhet në Sauk të Tiranës.
Pas një sherri për ankesa mbi shërbimin, i dyshuari ka nxjerrë një armë zjarri të llojit pistoletë dhe ka qëlluar me të, djalin 23 vjeçar që punonte si kamerier.
Në gjendje të rëndë për jetën, i plagosuri është dërguar në Spitalin Ushtarak të Tiranës ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
e.r/NOA