English

“Property Wire”: 2011-a, viti i Shqipërisë. Pronat, taksa dhe çmime të ulëta

Tiranë, 13 Nëntor 2010 - Pas agjencisë prestigjioze Lonely Planet që e rendit Shqipërinë, si të parin vend të preferuar për turizëm për vitin 2011, një tjetër revistë e njohur e klasifikon vendin tonë për vitin 2011 në listën e vendeve që kane një treg pronash me çmime dhe taksa mjaft të ulëta.

“Property Wire”, revista e njohur e shërbimit të pronave në botë, përshkruan vendin tonë si një vend mjaft të përshtatshëm për tregun e pasurive të paluajtshme. Sipas revistës, 2011 është viti i Shqipërisë, raporton tv Klan.

Në mbështetje të këtij rekomandimi dhe konstatimi, revista rendit një sërë argumentesh. Sipas revistës, Shqipëria është një vend potencial dhe mjaft tërheqës dhe ka mundur të realizoje një treg banesash mjaft fitimprurës.

Për vetë pozicionin gjeografik, shkruhet në këtë revistë, Shqipëria, që njihet si vendi i shqiponjave, konsiderohet si perla e fshehur e Europës, vetëm 45 milje larg kanalit te Otrantos.

Po ashtu, sipas revistës “Property Wire”, Shqipëria i ka shpëtuar mrekullisht recesionit ekonomik, ndryshe nga vendi fqinj Greqia apo edhe vende të tjera europiane, me një rritje ekonomike prej 5% të parashikuar për 2010.

Revista prestigjioze flet edhe gjithashtu për investimet e mëdha në infrastrukturë si dhe statistikat domethënëse të turizmit në vend.

Sipas saj, investimet e fundit në veprat publike dhe rrugët e reja e kanë bërë edhe më të lehtë udhëtimin në gjiret e mrekullueshme të këtij vendi, si Gjirit i Lalëzit e shumë zona të tjera si bregdetare ashtu edhe në resurset malore.

Sa i takon të dhënave për turizmin, revista thekson se në gjysmën e parë të 2009, në Shqipëri u shënua një rritje prej 36% e numrit të turisteve me 1.5 milionë turistë të ardhur, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2008.

Sipas qeverisë shqiptare, thuhet në revistë, ardhjet e turistëve në 2010 janë dyfishuar duke arritur në 3 milionë.

e.r/NOA

KOMENTE