English

Pse Ballkani mund të dështojë

Bosnja dhe Hercegovina vazhdon të jetë e zënë në tensione të vazhdueshme etnike, raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbesin të pazgjidhura, kurse Maqedonia nuk është në gjendje t’i bashkohet NATO’s ose BE’së përderisa nuk zgjidhet kontestimi i emrit nga Greqia

Nga Soren Jessen-Petersen dhe Daniel Serwer

Në kohën kur NATO-ja, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja përgatiten për takimet e samitit këtë vjeshtë, Ballkani ka gjasë ta prishë festën. Procesi i ndërtimit të paqes në rajon ka shënuar suksese të jashtëzakonshme - përfundimi i luftës në Bosnjë, rënia e Slobodan Milosevicit dhe ngritja e një Serbie demokratike, pavarësia e Kosovës, perspektiva evropiane e Kroacisë - por, njëkohësisht, dështimi në Ballkan është ende mundësi dhe do të turpëronte evropianët dhe amerikanët njësoj. Janë tri çështje që përndjekin këtë rajon: Bosnja dhe Hercegovina është një shtet që vazhdon të jetë i zënë në tensione të vazhdueshme etnike, ndonëse aktualisht jo të dhunshme; raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbesin të pazgjidhura; Maqedonia nuk është në gjendje t’i bashkohet NATO-s ose Bashkimit Evropian përderisa nuk zgjidhet kontestimi i emrit nga Greqia. Problemet e Bosnjës, rrënjët i kanë në Kushtetutën e imponuar mbi fraksionet që ishin në luftë 15 vjet më parë, gjatë bisedimeve paqësore të Daytonit. Si e tillë, krijon një shtet jofunksional dhe të paaftë për t’i përmbushur kërkesat, qoftë për anëtarësim në NATO apo BE. Për Kosovën, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në tetor ka rekomanduar që bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit mbi çështjet praktike, të fillojnë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Është kjo një ide e mirë dhe është koha për ta bërë, por Beogradi është ai që do të përpiqet t’i shfrytëzojë këto bisedime për të sugjeruar “përmirësime” të kufijve të Kosovës, duke ia lejuar Serbisë që të absorbojë komunitetin serb në veri të Kosovës. Kjo lëvizje e kufijve për t’i akomoduar dallimet etnike është e rrezikshme dhe do t’i hapte çështjet e diskutueshme mbi kufijtë në gjithë Ballkanin: padyshim në Maqedoni dhe në Bosnjë, por gjithashtu edhe në rajonet e banuara me shqiptarë në jug të Serbisë dhe në Mal të Zi. Në anën tjetër, Qeveria në Shkup përballet me një betejë në rritje me Athinën, e cila synon që Maqedonia të kualifikohet në një mënyrë tjetër. Pa zgjidhjen e kësaj çështjeje, Maqedonia do të ketë përballë një situatë të gjatë dhe të rëndë, pa anëtarësim në NATO, për të cilën ka qenë e përgatitur dhe pa një perspective serioze për anëtarësim në BE. Misioni i ndërtimit të paqes në Ballkan ende nuk ka përfunduar, edhe 15 vjet pas një bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Vetëm atëherë kur vendet e këtij rajoni të gjenden në një kurs të pakthyeshëm drejt Bashkimit Evropian, ne mund të jemi në gjendje të festojmë. Gjasat janë që kjo të realizohet për pesë vjet. Deri atëherë, duhet ta mbajmë Ballkanin në binarë, duke siguruar që Bosnja, Kosova dhe Maqedonia të jenë në tren. (Autorët janë ligjërues në Universitetin Georgetoën. Ata kanë punuar në Ballkan për 15 vjet)

KOMENTE