Laos, 13 nëntor, NOA – Një delegacion i Shqipërisë, i përbërë nga zv/ministri i Mbrojtjes dhe kryetari i Komitetit Shqiptar të Veprimit ndaj Minave (AMAC), Arian Starova, përfaqësues nga Ministria e Jashtme dhe nga Qendra Shqiptare e Veprimit ndaj Minave (AMAE), mori pjesë në Konferencën e Parë të Shteteve Palë të Konventës mbi Municionet Thërrmuese, që zhvilloi punimet në Vientiane, Laos, nga data 9 deri më 12 nëntor 2010.
Konventa mbi Ndalimin e Municioneve Thërrmuese ndalon përdorimin, transferimin dhe grumbullimin e municioneve thërrmuese që shkaktojnë dëme të papranueshme tek civilët. Detyrime të tjera të parashikuara në konventë janë pastrimi i zonave të ndotura me municione thërrmuese, ndërgjegjësimi i popullsisë mbi rrezikun e tyre dhe asgjësimi. Shqipëria firmosi konventën e Municioneve Thërrmuese në 3 dhjetor, 2008 në Oslo të Norvegjisë dhe dorëzoi Instrumentin e Ratifikimit pranë Kombeve të Bashkuara në Neu Jork në 16 Qershor, 2009.
Starova gjatë fjalës së tij theksoi se “Shqipëria kurrë nuk ka prodhuar, magazinuar, tregtuar apo përdorur municionet thërrmuese. Këto municione në territorin e Shqipërisë janë rezultat i konfliktit në Kosovë në vitin 1999”, duke shtuar se “Shqipëria është një prej 10 shteteve të para të cilat kanë ratifikuar këtë Konventë kaq të rëndësishme për eliminimin e këtyre municioneve që mund të shkaktojnë dëmtime të rënda në komunitetet të cilat jetojnë pranë zonave të kontaminuara.
Sipas tij, qeveria shqiptare ishe ndër qeveritë e para nënshkruese të konventës jo thjesht për të shprehur solidaritet ndërkombëtar.
“Si rezultat, qeveria shqiptare në bashkëpunim me vendet donatore, 10 muaj para hyrjes në fuqi të Konventës ka plotësuar obligimin e saj duke pastruar të gjitha municionet thërrmuese në zonat veri-lindore të vendit, pranë kufirit me Kosovën”, u shpreh ai.
Ne./NOA