Tiranë, 13 nëntor, NOA – Ndërsa lufta ndaj trafikut të lëndëve narkotike vijon ethshëm, trafiku i drogës, nuk njeh cak, pasi ai prodhon mjete të reja, sikundër mund të jetë trafikimi i drogës duke e gëlltitur atë në stomak, një mënyrë për t’i shpëtuar kështu kapjes në kufi...
Kështu ka vepruar ish volejbollisti i kombëtares shqiptare, Arjan Korça, i cili dy javë më parë se të mbërrinte në kryeqytetin shqiptar, nga Argjentina, kishte gëlltitur në stomak 30 qese me kokainë, që peshonin plot 250 gramë.
Sikundër mësohet nga burimet e policisë së kryeqytetit, dy javë pas mbërritjes së Arjan Korçës në Tiranë, ai nuk ende nuk kishte gjetur mundësinë për t’i nxjerrë qeset e drogës nga stomaku, andaj ato o kishin krijuar shqetësime arsye për të cilën ishte shtruar në spital.
Policia informoi se gjatë operacionit të kryer në QSUT, mjekët e spitalit kishin nxjerrë nga stomaku i Korçës, 30 qese me 250 gram kokainë.
Sipas policisë lënda e nxjerrë i kishte krijuar dyshime mjekëve dhe për këtë ata kishin lajmëruar policinë, e cila konkludoi pas hetimit të qeseve se ato përmbanin lëndë narkotike të llojit kokainë.
I marrë në pyetje nga uniformat blu, ish-volejbollisti i kombëtares, Arjan Korça dëshmoi se para se të vinte në Shqipëri kishte gëlltitur qeset me kokainë, dhe pas kaq ditësh pas dhimbjeve të ndiera në stomak, kishte shkuar në spital, nën dyshimin se ato mund t'i ishin çarë brenda stomakut.
Policia e kryeqytetit ka vënë në pranga Arjan Korçën, duke vënë kështu në jetë arrestimin për trafik droge në një formë krejt të re, atë të gëlltitjes.
mit/NOA