English

Ambasada italiane në Romë: Pasaportat biometrike, procesi ende s’ka filluar

Romë, 14 Nëntor 2010 NOA – Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Romë, bën të ditur se ende nuk ka filluar aplikimi për pasaportë biometrike pranë zyrave konsullore në Rome dhe Milano.

“Sapo te filloje aplikimi do te njoftohen te gjithë qytetaret ne lidhje me modalitetet dhe dokumentacionin e duhur”, - deklaroi ambasada.

Më herët, ishin njoftuar të gjithë qytetarët shqiptarë që jetojnë në territorin italian se, në përputhje me Vendimin e Ministrisë së Brendshme shqiptare, është ndërprerë proçesi i pajisjes së shtetasve shqiptarë me pasaportë për udhëtim jashtë shtetit të tipit të vjetër, për shkak të futjes në përdorim të pasaportave biometrike.

Për këtë, zyrat konsullore në Romë, Bari dhe Milano, nuk pranojnë dokumente për pajisje me pasaportë të tipit të vjetër, si edhe nuk pajisin me prokurë të posaçme për këtë qëllim dhe nuk ofrojnë çdo shërbim tjetër që ka lidhje me pajisjen e shtetasve me pasaportë të vjetër.

Por gjithsesi, zyrat konsullore mbeten në dispozicion të shtetasve për çdo shërbim tjetër.

Para pak kohës, Kuvendi miratoi një ligj që lejon hapjen e zyrave për shitje pasaportash biometrike në konsullatat shqiptare në Itali dhe Greqi.

e.r/NOA

KOMENTE