Republika e Çekisë ka një tjetër problem me të cilin duhet të përballet, me atë të simpatizantëve të neo-nazizmit në radhët e forcave policore – dukuri kjo që në disa vende evropiane, veçanërisht në Gjermani, ka rezultuar si një reagim i vakët i forcave policore ndaj lëvizjeve naziste të ekstremit të djathtë
Nga Marek Svehla
Kur nisi revolucioni në vitin 1989, ishim më se të vetëdijshëm se tranzicioni nga komunizmi në demokraci do të na ofronte mjaft të papritura. Megjithatë, kujt do t’i kishte shkuar ndërmend se 20 vjet më pas vendi do të kalonte nëpër etapa pështjelluese? Si provë për këtë dukuri, le të mos shkojmë më gjatë se sa tek “provat teknike” të lëvizjes neo-naziste, që ndryshe për eufemizëm njihen edhe si “Piromanët e Vitkovit”. Janë të pakët në numër ata që do të shprehnin pakënaqësinë për vendimin e dhënë ndaj katër të akuzuarve. Gjykata ishte e vendosur dhe veproi sipas ligjit. Në vendet perëndimore, kur një grup neo-nazistësh e ndau mendjen për të përkujtuar ditëlindjen e Adolf Hitlerit me as më shumë e as më pak se një shishe me benzinë të hedhur në shtëpinë e një familjeje rome, ishte e kuptueshme se Gjykata do të jepte dënim të ashpër, pasi kishim të bënim me një rast të pastër të shprehjes së një racizmi të errët dhe orvatjeje për vrasje, aq më tepër kur disa prej viktimave mund të jenë edhe fëmijë të pambrojtur që nuk përbëjnë kërcënim për askënd.
Duke u kthyer në vend, faktet që u morën në shqyrtim nga sistemi gjyqësor çek ishin mjaft bindëse. Me dhënien e dënimit (22 vjet heqje lirie) të tre anëtarëve të grupit të neo-nazistëve, dhe me 20 vjet burg për katër anëtarët e tjerë të këtij grupimi, shteti është përpjekur të dëshmojë se toleranca ndaj krimeve të kësaj natyre është zero. Kjo është më kryesorja. Ja vlen të vrasësh mendjen për të kuptuar se cili do të jetë impakti që do të shkaktojë një vendim i tillë i ndërmarrë nga Gjykata, në radhët e lëvizjes neo-naziste çeke. Nga ana tjetër, Republika e Çekisë ka një tjetër problem me të cilin duhet të përballet, me atë të simpatizantëve të neo-nazizmit në radhët e forcave policore – dukuri kjo që në disa vende evropiane, veçanërisht në Gjermani, ka rezultuar si një reagim i vakët i forcave policore ndaj lëvizjeve naziste të ekstremit të djathtë. Ndërkohë, qeveria çeke ka përshpejtuar hapat në ndjekje të një vije të ashpër politike: më konkretisht, ndalimin me ligj të kësaj lëvizjeje në gjirin e “Partisë së Punëtorëve”, që kishte lidhje me lëvizjen neo-naziste. Edhe pse ndëshkimet ligjore të dhëna ndaj racistëve të ‘Vitkov’-it sigurisht që përbëjnë një fshikullim ndaj prirjeve dhe orvatjeve të të gjithë atyre që kryejnë a kanë ndërmend të kryejnë krime të tilla, me gjasa, do t’i ofrojnë mundësi grupimit të nazistëve të rinj që të formojnë një lëvizje krejt më vete në Republikën e Çekisë – ndërkohë që jemi të gjithë dëshmitarë të gjallë të marrjes hov të prirjeve neo-naziste të ekstremit të djathtë në atë masë sa edhe në vendet e tjera evropiane.
Sidoqoftë, ‘zjarrvënësit e Vitkkovit’ nuk janë shembulli i vetëm që duhet të përballemi ndaj racizmit të turpshëm që është i pranishëm në Republikën e Çekisë. Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet në Senatin çek, Liana Janackova pohonte: “ Po, unë jam raciste dhe nuk dua që të kem pranë shtëpisë ku banoj kampe romësh”. Edhe pse ky qëndrim u dënua nga të gjitha partitë politike në vend, dëshmon se prirjet raciste janë të pranishme. Sidoqoftë, gjurmët e racizmit i gjen edhe shkallëve të Presidenti i Republikës së Çekisë, i cili u shpreh se dënimet me 20 vjet të atyre që kryejnë apo orvaten krime të tilla - siç rezultuan nga sakatimi i një vajze të mitur rome - nuk pritej që të ishin kaq të larta. Në të njëjtën ditë, Vacláv Klaus ngriti fort zërin e protestës ndaj shkurtimeve të vendeve të punës në disa vija ajrore dhe planit të qeverisë çeke që të tatimojë kompanitë e prodhimit e shpërndarjes së energjisë solare...Kur pushtohet nga delli i zemërimit, edhe presidenti i një vendi mund të gabojë.