English

Festë “e trishtë” evropiane në Tiranë

S’do të ketë më as 0900, kjo gjetje “gjeniale” për t’u plasur buzën sa më shumë shqiptarëve me ca përgjigje raciste dhe pagesa të majme impulsesh. S’do të ketë më sekserë për prime sigurimesh “ambulantë” para ambasadave. Madje edhe garanci bankare dhe vërtetime të pakuptimta. Për më tepër shija e hidhur e një pagese të majme diku tek 5 mijë lekë për një pullë vize, madje edhe në rast refuzimi

Nga Eno Cacaj

Destinacioni Evropë tashmë nuk është një ekuacion me shumë të panjohura. Radhët e gjata nëpër dyer ambasadash, do të zhvendosen në pistën e aeroportit ndërkombëtar të Tiranës dhe në terminalin e pasagjerëve, që jo pa qëllim u zgjerua jo më larg se para disa kohësh. Noterët nuk do të kenë më shansin të kenë shumë punë me noterizime dokumentesh për në ambasada.

S’do të ketë më as 0900, kjo gjetje “gjeniale” për t’u plasur buzën sa më shumë shqiptarëve me ca përgjigje raciste dhe pagesa të majme impulsesh. S’do të ketë më sekserë për prime sigurimesh “ambulantë” para ambasadave. Madje edhe garanci bankare dhe vërtetime të pakuptimta. Për më tepër shija e hidhur e një pagese të majme diku tek 5 mijë lekë për një pullë vize, madje edhe në rast refuzimi.

Gjithë kjo industri në shërbim të një pulle me logon e BE-së në pasaportë do të zëvendësohet nëpër blerje, apo rezervime online të biletave dhe agjenci të gatshme për të plotësuar kërkesat e destinacioneve. E pra kur e mendon se sa i vështirë dhe i pamundur ka qenë ndonjëherë ky kalvar i gjatë i hallit për të patur një vizë, të vjen të hidhesh në qiell nga gëzimi. Dhe ka të drejtë të festojë shqiptari. Madje më shumë se kushdo popull që prek këtë ëndërr dekadash ndër vite. Por mënyra se si duhet të festohet është paksa e pazakontë. Vërtet përse duhet që shqiptarin ta kapë gazi dhe hareja. Përse ai nuk duhet të festojë sadopak në atë qetësinë dhe klasin që ndoshta mund t’i shkojë për shtat më shumë se kushdo.

vërtetë që s’kemi qenë Evropë, por jo pjesë e pandarë e saj. Sa afër jemi prej dy nga shtetet që vizitohen më shumë nga turistët. Sa milionë emigrantë kemi dërguar nëpër dyert e kësaj Evrope që sot hapi dyert e saj për gjithë shqiptarët. Është kjo e vërteta. Për të shkuar më tej. Sa të huaj kemi punësuar këtu në vendin tonë dhe sa të denjë do të ishin ata sikur të punonin në Evropë, aty ku po punojnë aktualisht shqiptarët.

E pra edhe aq në ditë të hallit nuk paskemi qenë si komb teksa sheh përgatitjet e heshtura të valixheve të stafeve konsullore të vendeve si Italia, Gjermania, Greqia, Franca, etj. Të gjithë këta pjesë e një strukture të “stërfryrë” prapa kangjellave të një ambasade, nisur nga kërkesa e shqiptarëve për ca viza më shumë. Sot festohet në Tiranë për hyrjen në Europë të shqiptarëve pa viza, megjithatë një farë dinjiteti duhet të kishim treguar në fakt, për të mos sjellë me anë të festave pështjellime në mendjet evropiane. Hyrja pa viza në Europë, nuk do të thotë përsëritje e termit të hidhur me lugë floriri. Sot europianët kanë të drejtë të jenë më skeptikë se kurrë për mënyrën se si po e përkthejmë dhe lexojmë ne vendimin e BE.

Të hysh me saze dhe daulle në Evropë do të thotë të krijosh rrëmujë dhe t’u japësh të kuptojnë kombeve të tjera më europiane se nëse diçka mund të ndodhë pas kësaj lodre me emrin “pa vizë”. Përse nuk mendojmë se si mund të binjakëzojmë Universitetet tona dhe për më tepër të kalojmë në klasë disa nga këta privatet që janë vërtet ku thërret qameti. Përse nuk mendojmë më parë për arsimimin e këtij kombi? Do shkojmë të trokasim nëpër dyert e europianëve për të lypur, nga ku mos të habitemi pas ndonjë përgjigje “hajt Zoti të dhashtë vizë”. Përse nuk mendojmë se si mund të zgjidhim problemet shëndetësore dhe a mund shqiptarët të kryejnë vizita mjekësore nëpër klinikat apo spitalet e Evropës.

A kanë një kartë apo një librezë shëndetësore në anglisht, italisht apo frëngjisht shqiptarët nga ku mund të merret vesh se nga se vuajnë.

Edhe këtu do të jemi të padenjë dhe e sigurt që do thuhet rëndom termi “me ta shpif shqiptari”. Të sëmurë dhe të paekzaminuar nga asnjë lloj qendre shëndetësore. Përse nuk mendojmë si të krijojmë kushte të qytetërojmë shqiptarinë për mbrojtjen e ambientit, kulturës, edukatën. A mendoi kush për këto përpara se të organizonte festime apo të hidhte në qiell fishekzjarrë. Janë këto gjëra që e bëjnë këtë festë të trishtë dhe jo shumë pompoze. Boshnjakët vendosën të mos festojnë dhe të mos dehen nga padituria se çdo të thotë ky nocion kolektiv.

Po ne përse nxitojmë dhe përse harbohemi kur vetëm pak ditë më parë një autobus që udhëtonte i gjithi me viza në pasaportë, u rrokullis në një humnerë në bash të vendit. Ëndrra e tyre kishte marrë udhë jashtë këtij vendi, pa pritur mësymjen drejt kufijve të shqiptarëve të tjerë. Pa dashur lind pyetja se përse sa herë që ka një miting elektoral, apo manifestime të tjera politike karvanët e autobusëve i mbështillen rreth e qark Tiranës? Përse do të duhej edhe sot në këtë festë të madhe të shqiptarëve që këta karvanë të bllokonin trafikun e shqiptarëve që punojnë dhe duan të kthehen pas një të premte pasdite pranë familjes. Dhe kjo vlen për të dyja partitë, më saktë edhe për partinë e tretë që i ka më shumë me qejf manifestimet.

Nuk kanë njerëz të mjaftueshëm në Tiranë dhe halli i detyron për të mbushur sheshet me hallexhinj nga rrethet? Ka një përgjigje për gjithë këtë lloj situate. Ka ndodhur ajo që s’duhet t’i ndodhte politikës. Është bërë apatike dhe i ngjan një rruge pa krye, por i njohur destinacioni.

Distanca që ajo po krijon me shoqërinë, grupet e interesit dhe intelektualët e pavarur dhe me interes vetëm tek puna dhe përpjekja sublime për të çuar bukën e përditshme në shtëpi, solli këtë gjëmë që po i ndodh aktualisht çdo fenomeni që ka për bazë marketingun politik. Të bësh P.R. për çfarëdo lloj arritje e veshur nën okelion e politikës, krijon boshllëqe dhe dëme të konsiderueshme tek interesi mbarëkombëtar, veçanërisht në atë qytetar. Për sa kohë instrumenti politik-bërës nuk gërshetohet me aksionin dhe interesin qytetar, më shumë autobuzë me militantë do të kemi në pikat kyçe të qytetit, nga çdo lloj partie. Më shumë trafik dhe kaos. Më shumë rënie të interesit, madje deri edhe në përbuzje nga ana e atyre që ditë pas dite i humbi politika në kalvarin e saj të gjatë, veçanërisht në kryqëzimin “tranzicion”. Ata janë ata që ngrihen në mëngjes pa zhurmë dhe shkojnë punojnë aty ku u bëhet më mirë, ku janë të konkurrueshëm.

Konsumojnë pushimin e drekës dhe më pas drejtohen për në familjet e tyre, me një shpresë për t’u kthyer sa më shpejt pranë familjes së tyre. Kaq u mjafton dhe nëse ua bezdis këtë ritual sadopak të thjeshtë, dihet se i humbet shumë kollaj. Ashtu si shkëlqimi i kësaj feste që u duk akoma më i zbehtë dhe i vyshkur këtë vjeshtë në Tiranë.

Marrë nga “Gazeta Shqiptare”

KOMENTE