English

Harmonia ndërfetare si kyç i integrimit

Modeli i shkëlqyer i harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare në Shqipëri përbën një aspekt shumë pozitiv të kulturës së shoqërisë shqiptare, nga i cili kanë çfarë të mësojnë edhe kombet e tjera. Ai nuk ka pësuar ndryshime pavarësisht nga regjimet që kanë kaluar, izolimi i vendit, ndalimi i besimit apo hapja shumëplanëshe ndaj botës

Nga MA. Genti Kruja

Sociolog - Drejtor i Kulturës dhe Dialogut Ndërfetar (KMSH)*

Historia e dialogut ndërfetar pikënisjen e vet e përcakton tjetërkund edhe njëkohësisht edhe hapësinërisht, në tradita të ndryshme, por sidomos në fetë monoteiste.

Nevoja për dialog ndërfetar është parë si një prej alternativave për të shumëpërfolurën “përplasja e qytetërimeve”. Ata që nuk pajtohen me teorinë që përplasja e qytetërimeve është e pashmangshme, këmbëngulin në dialogun e qytetërimeve. Padyshim që edhe shqiptarët kanë një rol të rëndësishëm në dialogun midis qytetërimeve, parë nga vetë aspekti historik, ku shqiptarët kanë dhënë shembullin e mrekullueshëm të bashkëjetesës ndërfetare, madje dhe ndëretnike.

Kështu në studimet sociologjike shqiptare të viteve të fundit është argumentuar se krahas vlerës kulturore të besës dhe të mikpritjes, toleranca, ose, më saktësisht, mirëkuptimi ndërfetar i shqiptarëve, përbënte një nga profilet më të spikatura të modelimit psikokulturor të tyre, në të kaluarën dhe në ditët tona. Në sfondin ndërkombëtar, ku vihen re konfliktet ndërfetare, mirëkuptimi ndërfetar i shqiptarëve, është një vlerë e çmuar parë në të gjitha aspektet. Çdo përpjekje për depërtimin në thelbin e një vlere të tillë komplekse, shumëfunksionale, për ta evidentuar atë përmes strukturave konceptuale sociologjike, ka rëndësi të veçantë teorike e praktike jo vetëm për shoqërinë shqiptare, por edhe më gjerë.

Modeli i shkëlqyer i harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare në Shqipëri përbën një aspekt shumë pozitiv të kulturës së shoqërisë shqiptare, nga i cili kanë çfarë të mësojnë edhe kombet e tjera. Ai nuk ka pësuar ndryshime pavarësisht nga regjimet që kanë kaluar, izolimi i vendit, ndalimi i besimit apo hapja shumëplanëshe ndaj botës. Përkundrazi, ka qëndruar dhe është zhvilluar e forcuar duke u shndërruar në një vlerë të çmuar identifikuese për shoqërinë dhe familjen shqiptare.

Është një realitet historik që ndjenja kombëtare në radhë të parë, si dhe besimi fetar kanë qenë përherë faktor bazë për vetë ekzistencën e këtij populli. Marrëdhëniet midis feve në vendin tonë janë një model për gjithë aspektet e elementet, aktorët e faktorët e shoqërisë shqiptare. Madje mesazhi që na përcjell bashkëjetesa normale e feve të ndryshme në Shqipëri, është në dobi dhe në funksion të zhvillimit të politikës shqiptare dhe të vlerave morale të njerëzve tanë.

Vetë historia e Shqipërisë është një rast shembulli për dialog që nga Kristianizmi në format e tij të ndryshme, tek Islami dhe traditat e tij mistike. I gjithë ky historik i pasur fetar na jep mësimin e dialogut dhe të sinqeritetit me njëri-tjetrin. Shqipëria tregon rrugën drejt një dialogu të ripërtëritur fetar dhe përvojave të përbashkëta.

A mund të bashkekzistojnë integrimi dhe globalizmi me identitete të ndara fetare, sociale dhe kulturore? Cilat janë lidhjet ndërmjet këtyre dy dinamikave? Kërkimi për një barazpeshë të pranueshme është një nga sfidat më kryesore të epokës sonë.

Parë nga aspekti i qytetërimit apo civilizimit, ky është një term të cilin duhet ta përdorim me shumë rezerva. Duhet të jemi të kujdesshëm ndaj të gjitha përqasjeve që flasin për ADN-në e civilizimit shqiptar, evropian, islam, të krishterë, etj. Ne në fakt duhet të përdorim termin kulturë. Kjo edhe për arsye që termi ‘kulturë’ u përshtatet përkatësive të shumëfishta. Kështu, për shembull, në vend të shprehjes “civilizim” duhet të themi kultura shqiptare, ballkanase, etj.

Por çdo të thotë t’i përkasësh një kulture? T’i përkasësh një kulture do të thotë të kesh në dispozicion një organizim paraprak të botës, një hartë e cila të lejon të orientohesh, të de-kodifikosh, në një farë mënyre, botën. Nga kjo pikëpamje kultura është e shkuar, e tashme dhe ardhme. Çdo individ merr pjesë në shumë kultura. Për shembull, personalisht marr pjesë në kulturën shqiptare. Në të njëjtën kohë marr pjesë edhe në kulturën islame, atë evropiane, etj. Dhe marr pjesë në këto identitete shumëfishe (ndonjëherë edhe “kontradiktore”) duke ruajtur njëkohësisht të pandryshuara disa vlera.

Ne duhet të besojmë më shumë tek ajo që mund ta quajmë “identitet i shumëfishtë”, si dhe gjithashtu, kulturat nuk janë barriera të vendosur përballë barrierave të tjera kulturore, por janë tërësi vlerash, që përmbajnë shumë nuanca. Prandaj mund të themi që nuk ka kultura të pastra dhe kultura mikse: ka kultura, që njohin karakterin e tyre miks dhe kultura që përpiqen ta mohojnë ose, më saktë, ta fshehin atë.

Pa dyshim, shqiptarët janë një nga popujt me densitetin më të lartë të multifetaritetit në botë. Ndonëse të ndarë në disa komunitete fetare (ndoshta populli shqiptar mund të karakterizohet si një përfaqësues i pothuajse të gjitha besimeve fetare më të përhapura në botë), shqiptarët nuk janë konfliktuar njëri me tjetrin për çështje fetare. Madje, në shumë aspekte, dallimet fetare kanë "funksionuar" si një faktor që ka fashitur ose tejkaluar edhe konfliktet e provokuara për motive të tjera. Kështu, sikurse nuk ndodh në asnjë vend tjetër të botës; dallimet fetare në Shqipëri veprojnë si faktor kundërkonfliktues.

Në fakt, bashkëjetesa prej shekujsh e myslimanëve dhe e të krishterëve tek populli shqiptar, ka bërë që harmonia ndërfetare të jetë një domosdoshmëri historike, duke shërbyer kështu, si mjet dhe faktor, që ka siguruar unitetin kombëtar dhe ekzistencën tonë si komb.

Procesi i dialogimit ndërfetar nuk do të thotë njëkohësisht proces i kristianizimit, islamizimit, etj., respektivisht nuk është asimilim në ndonjë nga këto grupime ose komunitete fetare, por është proces që ka disa funksione dhe më kryesori është komunikim i vazhdueshëm midis kulturash e traditash, ndërtuar mbi pikat e përbashkëta, që gjithmonë janë më shumë se ato që na ndajnë.

Gjykuar në pikëpamjen horizontale, shqiptarët janë një popull ku bashkëjetojnë të dyja fetë me origjinë nga Profeti Ibrahim (Abraham), Krishtërimi dhe Islami. Në fakt, tradita e harmonisë ndërfetare tek shqiptarët nuk është diçka e formuar në kohët moderne, por është një traditë që vjen nga thellësia e shekujve, e sigurisht këto vlera nuk janë të imunizuara, por duhen ruajtur e trashëguar në mentalitetin e njerëzve.

Midis shumë vlerave që kemi ne si komb, harmonia ndërfetare është një prej cilësive që tërheq gjithmonë vëmendjen e të gjithë atyre dijetarëve dhe politikanëve, shqiptarë e të huaj, që besojnë dhe kërkojnë tek populli shqiptar, një imazh tjetër nga se është krijuar për shkaqe të ndryshme.

Ky model përbën një pasuri të çmuar, por edhe një realitet pozitiv, me vlerë në rajonin ku jetojmë dhe më gjerë. Shoqëria jonë po shkon në mënyrë të pashmangshme drejt globalizmit dhe integrimit, duke tentuar krijimin e një familje të madhe në të cilën ka vend për të gjitha vlerat e pasuritë e kombeve dhe popujve. Në botën globaliste, vendet e vogla nuk pritet të konkurojnë me ekonomitë dhe pasuritë e tyre materiale. Megjithatë, me identitetin dhe vlerat më të çmuara të tyre, ato mund të kontribuojnë në pasurimin e shoqërisë, duke krijuar një mozaik të pasur vlerash e kulturash, që njohin, respektojnë e zhvillojnë njëra-tjetrën.

Shqiptarët kanë jetuar në zonën ku takoheshin dhe ndaheshin dy perandoritë më të mëdha të mesjetës: Roma dhe Bizanti. Por, kjo ndarje asnjëherë nuk u kthye në kufi midis vetë shqiptarëve. Po ashtu edhe Islami në Shqipëri bashkëjeton me Evropën prej shekujsh dhe është një prej feve përbërëse të saj.

Në fakt, toleranca përbën një tipar etnotipik të shqiptarëve. Ndoshta kjo cilësi është e lidhur edhe me pozitën gjeopolitike të tyre. Në kryqëzim të Lindjes dhe Perëndimit, shqiptarët kanë marrë e dhënë me të dyja, duke shërbyer si urë kalimi ndikimesh dhe duke përvetësuar edhe vetë prej tyre. Kështu u formua tek shqiptarët bindja historike se dallimi, qoftë ky fetar, kombëtar, kulturor, etj. nuk është rrezik, por një pasuri. Edhe e ardhmja e Shqipërisë dhe e shqiptarëve do të jetë e lumtur, në qoftë se pjesëtarët e islamit dhe krishtërimit do të përqafojnë secili fenë e vet me dije dhe vepër dhe do të respektojnë fenë e njëri-tjetrit.

Si myslimanë e të krishterë, duhet të kuptojmë njëherë e përgjithmonë, se realiteti dhe fati, jo vetëm yni, por i gjithë botës, që nga fillimi deri në mbarim të saj, është larmi besimesh e bindjesh. Shqiptarët nuk do të kenë përçarje fetare përderisa të besojnë se fetë në Shqipëri janë pasuri e jo fatkeqësi dhe se Zoti i vetëm është për të gjithë i njëjtë, për myslimanë e të krishterë.

Tek shqiptarët mund të flasim për dy nivele të bashkëveprimit të kulturave: raportet e subkulturave shqiptare të ndikuara nga feja e krishterë e ajo islame dhe raportet e kulturës shqiptare me ato të popujve fqinjë, që fillojnë së bashku bashkëjetesën përbrenda popullit shqiptar, qysh nga shekulli XIV. Atë bashkëjetesë e gjejmë në art, në arkitekturë, në gjuhë, besime, etj.

Sipas studiuesve, Shqipëria në një farë kuptimi, pikërisht në sajë të ekzistencës së saj në një pikë gjeopolitike e kulturore, që ka përbërë edhe një udhëkryq qytetërimesh, është një miniaturë e problematikës globale. Kështu, globalizimi ekonomik dhe lëvizjet migratore po krijojnë një "shoqëri globale" të përbërë nga "qytetërime" të ndryshme, që reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj të njëjtave sfida, që u vë përpara dinamika homologuese e modernizimit ekonomik.

Interesat politike dhe ekonomike, që u bënë mbizotëruese pas vitit 1990 në Shqipëri, lanë mënjanë në një masë të konsiderueshme çështjet e natyrës fetare. Rivlerësimi i traditës pozitive historike të harmonisë fetare, bashkëjetesës paqësore dhe marrëdhënieve ekumenike, tentoi të lehtësojë dhe të përmirësojë rrugën dhe cilësinë e demokracisë shqiptare.

Ndryshimet politike, ekonomike e sociale që ndodhën në Shqipëri që nga hapja e saj ndaj botës perëndimore, bëjnë thirrje për më shumë vullnet në njohjen dhe pranimin e diversitetit në shoqërinë shqiptare. Ideja e pritur që shteti dhe fetë në Shqipëri të gjejnë një konsensus thelbësor mbi çështje të ndryshme fetare dhe politike, mbetet në vlerësimin tonë, një ide racionale. Institucionet shtetërore duhet të operojnë në një mënyrë të tillë që të respektojnë vlerat, format, praktikat, madje dhe kërkesat e secilit prej komuniteteve fetare.

Shqipëria shihet me të drejtë si një ishull që zotëron një nga pasuritë më të çmuara të kohëve - harmoninë ndërfetare. Nën çdo arsyetim, një komb që është në gjendje ta sigurojë këtë lloj pasurie, patjetër që është i aftë dhe ka autoritetin e nevojshëm të rrezatojë edhe tek të tjerët mesazhe paqe, harmonie e mirëkuptimi. Natyrisht ka edhe faktorë të tjerë që ndikojnë në hapat tona për të ndërmarrë të tilla iniciativa, por thelbësore në këtë rast është se harmonia jonë ndërfetare dhe potenciali i saj shumë pozitiv, nuk ka kaluar pa u vënë re nga bota si një vlerë, të cilën ajo do të donte doemos ta përfshinte në kulturën e vet të përgjithshme të dialogut. Ndoshta ne jemi mësuar dhe nuk e vëmë re, por harmonia ndërfetare e brendshme e një vendi (e lexuar politikisht si kapacitet i brendshëm i shoqërisë për dialog), ka shumë pikë në procesin e vlerësimit të rolit të këtij vendi në bashkësi ndërkombëtare rajonale, kontinentale dhe botërore.

Ne kemi mjaft shembuj të mirëkuptimit, harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare tek shqiptarët, por meqë janë ezauruar edhe në botime dhe kumtesa të mëparshme, këtu mund të përmendim vetëm shembullin historik, i cili tashmë në këtë muaj ka hyrë në jubileun e vet të 20. Pikërisht 20 vite më parë në meshën e parë dhe në rihapjen e xhamisë së parë në Shkodër, në nëntor të vitit 1990, pas ndalimit prej gati një çerek shekulli, qenë shprehje e harmonisë dhe e vëllazërimit ndërfetar përballë regjimit komunist që ende ishte në fuqi, bashkëpunimi i djemve të rinj kristianë e myslimanë në meshën e parë zhvilluar në varrezat katolike dhe në predikimin e parë të xhumasë në Xhaminë e Plumbit, Shkodër. Ky ishte edhe hapi i parë i demokracisë në vendin tonë. Asnjë tubim masiv në interesin e përbashkët të shoqërisë shqiptare nuk kishte para adhurimeve masive të besimtarëve të secilës fe në ato ditë nëntori të viti 90’. Vetëm pas një muaji shpërthyen më pas lëvizjet e studentëve e më gjerë në demokratizimin e vendit dhe në rrugën e gjatë të integrimit të Shqipërisë.

Kështu ka vazhduar për shekuj me radhë bashkëjetesa dhe harmonia ndërfetare mes shqiptarëve, e sot ka mbërritur tek ne si një vlerë e madhe kombëtare e një populli të vogël. Por këtë vlerë të rrallë, duhet ta ruajmë, ta kultivojmë dhe ta promovojmë me të gjitha mënyrat, nëpërmjet arsimit, medias, etj., kudo qoftë, si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Përfundimisht, përkatësia multifetare e shqiptarëve e bën më të pasur, më të ndërlikuar identitetin kombëtar. Këtë e dëshmojnë të dhëna të panumërta të kulturës materiale dhe shpirtërore të vendit tonë.

Ju faleminderit!

* Fjalë e mbajtur në simpoziumin me temë: "Kontributi i harmonisë nderfetare ne integrimin e Shqipërisë", zhvilluar këto ditë në Tiranë, organizuar nga komunitetet tradicionale fetare në Shqipëri.

*Nga aktiviteti i zhvilluar në Kavajë

KOMENTE