Tiranë, 14 Nëntor 2010 - “Hiri i Vullkanit” na sjell ndërmend titujt e kronikave televizive të disa muajve më parë, por ngjarja që pushtoi Europën ishte frymëzimi i parë për autorin Blendi Fevziu i cili e shndërroi atë në një libër. Këtë herë ai është kthyer tek letërsia artistike duke i ofruar lexuesit romanin më të ri “Hiri i Vullkanit”.
Blendi Fevziu tregon si nisi ideja: “Ishte një rastësi kur po kthehesha nga Brukseli dhe të gjitha fluturimet ishin pezulluar. Më lindi ideja se si dy njerëz mund të ritakoheshin pas shumë vitesh nga një e papritur e tillë. E nisa si tregim e më pas përfundoi në një roman”.
Subjekti i librit nuk është kryekëput një histori dashurie që rizgjohet pas shumë vitesh. Ndaj Fevziu nuk e ka shmangur dot penën gazetareske: “Në fakt nuk i jam shkëputur dot as gazetarisë, pasi në këtë roman flas edhe për gjithë atmosferën e viteve 90, por edhe atë të ditëve të sotme. Kjo është një dramë romancë e gjithë transformimit shqiptar.”
Romanin “Hiri i Vullkanit”, Fevziu ia dedikon mbi të gjitha atyre bashkëmoshatarëve të tij që patën të njëjtat ëndrra, por fate të ndryshme.
“Ia kam dedikuar të gjithë bashkëmoshatarëve që rininë e kaluan në bordurën e Parkut Rinia dhe që ndërtuan një histori paralele me atë të komunizmit e që arritën ta realizonin me ëndrrat e tyre”, - shprehet Fevziu duke folur nga stenda e panairit për tv Klan.
Letërsia artistike nuk është një surprizë nga Blendi Fevziu. Krahas disa sprovave letrare siç i quan ai, thotë se në kompjuterin e tij ndodhen të tjera botime të pritshme.
Kopjen e parë të këtij romani i cili tashmë ndodhet në stendën e “Dudaj” në panairin e librit, autori ia ka dhuruar kryeministrit Berisha në emisionin “Opinion”.
Romani i sapo hedhur në treg “Hiri i Vullkanit”, rrëfen për një histori dashurie e cila rizgjohet fare papritur pas 20 vitesh. Në faqet e tij lexuesi gjen gjithashtu episode që flasin për realitetin shqiptar në vitet 1990, por edhe në ditët e sotme. Mes tetë librave të botuar ky është libri i tretë, sa i takon letërsisë artistike nga Blendi Fevziu.
Ky është libri i tetë i Blendi Fevziut, krahas atyre të zhanrit gazetaresk, publicistik dhe historik. Tre tituj i takojnë letërsisë artistike. “Fillimet e mia kanë qenë letrare, ndoshta 20 vite më parë ka qenë një libër që kamë botuar së bashku me Ben Blushin, ndërsa më pas me dy vëllime me tregime. Por këto kanë qenë sprova të një studenti të letërsisë dhe të viteve të parë”, shprehet Fevziu.