Prishtinë, 14 nëntor, NOA – Nga Gani Qarri - Lajmi për vdekjen e poetit, shkrimtarit dhe Profesorit Din Mehmeti, u përjetua me shumë dhembje nga të gjithë shqiptarët.
Vdekja e tij është e freskët dhe përcillet me ndjeshmëri të mëdha në zemrat e familjarëve, miqve, shokëve dhe dashamirëve të shumtë nga të gjitha trojet, duke mos harruar gjeneratat e nxënëseve, dhe studentëve pa dallim moshe a periudhe kohore, që ata patën fatin,ai ti përcillte, të pajisur me dije të vlerësuar shkollore dhe porosi të mira e të çmuara kombëtare.
Në këto momente të gjithë ndjejnë dhembje dhe luten për shpirtin e tij të mirë, por ndjejnë edhe krenari, duke kujtuar me simpati, momentet e pa harruara me Profesorin, në kohën derisa ai ishte gjallë.
Poetin Din Mehmeti e kujtojmë të gjithë, si ne që kishim fatin ta njihnim personalisht, Profesorin tonë të dikurshëm, ashtu edhe të tjerët që e njohën atë, nga takimet e ndryshme të krijuesve letrarë apo veprat e tij të bujshme e të mirënjohura gjithandej ku jetojnë shqiptarët dhe më gjerë, si njeri të dashur dhe të afërt me të gjithë, i gatshëm për të ndihmuar në secilën kohë dhe rrethanë, si për nxënës e student, ashtu për miqtë, shokë e të njohur, gjatë gjithë jetës së tij, jetë e cila ishte e përcjellë edhe me momente të vështira në disa periudha të rënda kohore,si edhe vetë jeta e popullit të tij shqiptar nën pushtim.
Profesori ishte i fortë dhe i pa thyeshëm si vetë lisat e lashtë të truallit shqiptar, të cilin nuk pati furtunë e as fuqi ere dhe shtrëngate, ta dobësonte e as lakonte, anipse gjatë jetës së tij shpesh herë të mundimshme, ato nuk ishin të rralla, por edhe në përpalljen me to, Profesori dhe poeti i kombit qëndroi i fortë dhe nuk u thye kurrë, ai nuk u thye as si Njeri e as si Poet, duke qëndruar burrërisht gjithmonë.
Ai ishte një njeri i aftë dhe i formuar, poet inteligjent dhe me virtyte të larta prej intelektuali të mirëfilltë, i pajisur me qëndrime kolegjiale dhe shumë njerëzore,pra si përmbledhje e të gjitha këtyre vetive, Din Mehmeti ishte një fenomen i rrallë njerëzorë të cilin na e vodhi vdekja tinëzisht dhe para kohe.
Për ne ish studentët e tij, për miqtë dhe shokët që e kanë njohur anipse tanimë shumë nga ne, jemi bukur në moshë, Profesori Din Mehmeti, ishte dhe mbetet një poet vizionar për ato që shkruante, njeri unikal në mendimet e tija, i dashur për të gjithë dhe i dhembshur në shpirt për çdo njeri.
Poeti ishte njeri i pajisur me magjinë dhe artin e komunikimit, të cilat atë e bënin të veçantë dhe nuk mund të harrohen as lehtë e as në kohë të shkurtër, ndaj edhe pse vdekja e mori para kohe, ai mbetet përgjithmonë i pranishëm tek ne, me veprat e tij të pa vdekshme.
Pavarësisht nga jeta e tij e shkurtër, Profesori ynë i nderuar dhe poeti i mirënjohur shqiptar, Din Mehmeti la një trashëgimi të pasur me botime të shumta, shkrimet e të cilit janë me shumë rëndësi në fushat e krijimtarisë letrare me shumë vepra të shkruara, të cilat meritojnë të studiohen dhe të evidentohen edhe më mirë e më kujdesshëm, ër të parë përmasat e këtij Poeti, emri i të cilit duhet të shkruhet me shkronja të arta në shumë vende e institucione, por në mënyrë të veçantë në Shkollën e lartë Pedagogjike “Bajram Curri” të Gjakovës, tash Fakulteti i edukimit, ku për shumë vite me radhë, dha kontributin më të çmuar deri në vdekjen e tij.
Lavdi dhe nderim të përjetshëm, Jetës dhe veprës madhore të Profesorit dhe Poetit të mirënjohur, Din Mehmeti.
Jeta e Din Mehmetit
Din Mehmeti lindi në 1932 në fshatin Gjocaj të Junikut. Ai studioi për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Beogradit. Gjatë pjesës më të madhe të jetës punoi në Shkollën Pedagogjike të Gjakovës.
Din Mehmeti njihet kryesisht për poezinë e tij figurative, e cila është botuar që nga viti 1961 deri në vitin 1999 në 16 vëllime. Poezinë e parë e botoi në vitin 1949 në revistën letrare “Jeta e re”.
Ai u nda nga jeta më datën 12 dhjetor.
Disa nga veprat kryesore të autorit
“Në krahët e shkrepave”, 1961
“Rini diellore. Prishtinë“, 1966
“Dridhjet e dritës”, 1969
“Heshtja e kallur”, 1972
“Ora Prishtinë”, 1974
“Fanar ne furtuna”, 1981
“Agu”, 1982
“Prapë fillimi”, 1996
“Klithmë është emri im”, 2002
“Mos vdis kur vdiset”, 2001