English

Leskaj: Mazhoranca nuk do zgjidhjen e krizës, ka rrëzuar të gjitha alternativat e PS

Tiranë, 14 nëntor, NOA – Përfaqësuesit e partisë Socialiste deklarojnë se opozita ka bërë të gjitha lëvizjet e mundshme për zgjidhjen e situatës politike në vend, por është mazhoranca ajo që nuk pranon zgjidhjen e krizës.

Deputetja e PS-së, Valentina Lekskaj deklaroi sot gjatë një takimi me organizatat e Lëvizjes Europiane se vonesat në integrimin e vendit kanë ardhur vetëm si pasojë e qëndrimit të mazorancës.

“Opozita i ka ofruar disa herë alternativa dhe zgjidhje për të dalë nga kjo krizë, alternativa të cilat gjithmonë janë rrëzuar nga mazhoranca” theksoi Leskaj gjatë takimit me Europarlamentaren Britta Thomsen, Sekretarin e Përgjithshëm të European Movement International, Diogo Pinto, Presidentin e European Movement Danimarkë Erik Boel dhe Drejtuesin e European Movement Albania, Gledis Gjipali.

Deputetja Leskaj theksoi rëndësinë që ka integrimi europian për vendin si dhe pengesën e cila vjen si pasojë e situatës politike të krijuar në vend për shkak të mungesës së vullnetit nga ana e maxhorancës.

Gjatë takimit diskutimi u orientua mbi zhvillimet e fundit ne vendin tonë mbi procesin e integrimit europian dhe veçanërisht tek procesi i liberalizimit të vizave dhe mbi Opinionin e Komisionit Evropian mbi aplikimin për anëtarësim.

Europarlamentarja Thomsen, shprehu shqetësimin e saj për situatën aktuale në sferën politike dhe ndikimin jo pozitiv qe sjell në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së.

Thomsen theksoi se vetëm palët në Shqipëri mund ta zgjidhin këtë krizë dhe se institucionet europiane janë të gatshme të ofrojnë gjithë ndihmën e mundshme dhe dialogu midis dy forcave duhet të fillojë sa më shpejt.

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i European Movement International (EMI), Diogo Pinto, u fokusua në misionin e EMI-t në procesin e zgjerimit të BE-së dhe mbështetjen që kjo organizatë e rëndësishme është e gatshme të ofrojë për Shqipërinë.

a.k/NOA

KOMENTE