Tiranë, 14 nëntor, NOA – Në analizën e përjavshme të ngjarjeve më të rëndësishme në vend, Lëvizja Socialiste për Integrim i cilësoi kritikat e evidentuara në raportin-progresin e BE-së si detyra shtëpie për klasën politike shqiptare.
Në konferencën e tij të përjavshme me mediat, sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama ritheksoi se raporti i KE-së që vlerësoi se Shqipëria ende nuk i ka përmbushur kriteret për të marrë statusin e vendit kandidat, nxorri në pah përgjegjësitë e mëdha të klasës politike, përgjegjësi që sipas Ramës, i takojnë si mazhorancës edhe opozitës.
“Nga kjo pikëpamje, Shqipëria evropiane pas liberalizimit të vizave dhe pas njohjes me progres – raportin, është Shqipëria e punëve të mëdha, është Shqipëria e përgjegjësive dhe angazhimeve të mëdha, është Shqipëria e detyrave të mëdha, që duhen përmbushur me seriozitet dhe me korrektesë”, tha rama.
Ai i bëri apel si pozitës dhe opozitës të angazhohen seriozisht që vitin e ardhshëm Shqipërisë të mos i refuzohet jo vetëm statusi i kandidatit, por edhe nisja e negociatave për anëtarësimin në BE, që sikundër tha komisionari për Zgjerimin në dhënien e opinionit mund të realizohen vitin e ardhshëm njëkohësisht.
Gjithashtu në fokusin e fjalës së tij sekretari i LSI-së, ritheksoi si ngjarjen më të rëndësishme të javës vendimin e datës 8 nëntor për heqjen e vizave, një vendim që do t’u mundësojë lëvizjen e lirë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë në hapësirën Shengen, pas 15 dhjetorit të këtij viti.
“Natyrisht është një fitore e madhe, është një fitore e rëndësishme, është një arritje që kurorëzon me sukses përpjekjet 20 –vjeçare, dhe bën të mundur prekjen e një ëndrre të artikuluar qysh në fillimet e lëvizjes demokratike në Shqipëri përmes refrenit të njohur, apo kredos së njohur “E duam Shqipërinë si Evropa”, tha sekretari i LSI-së, Luan Rama.
mit/NOA