Londër, 14 Nëntor 2010 - Një ish-diplomat që ka shërbyer në Ambasadës Britanike në Tiranë ka dalë përpara një gjykate në Londër, i akuzuar për shpërdorim të qëllimshëm detyre, gjatë shqyrtimin e aplikimeve për viza pune.
“Mark Griffith 44 vjeç, me dashje ka neglizhuar kryerjen e detyrës si oficer intervistues i emigracionit, gjatë kohës kur ai punonte në seksionin e vizave të Ambasadës Britanike në Tiranë” kështu shkruhet në akt-akuzë.
Sipas Muhamed Veliut, korrespondent i Top-Channel në Londër ishte një kontroll i brendshëm i Ambasadës Britanike, që ka zbuluar shkeljet, pas marrjes së informacionit se një punonjës abuzonte me detyrën.
Pas një hetimi disa mujor, prokurorët britanik në aktakuzën e ngritur thonë se Griffith me dashje neglizhoi detyrën e shqyrtimit të aplikimeve gjatë një periudhe 18 mujore.
Ish diplomati ka lëshuar viza duke shkelur procedurën e lëshimit të tyre.
Nuk është ende e qartë nëse zoti Griffith apo persona të tjerë kanë përfituar financiarisht nga shkeljet në lëshimin e vizave jashtë standardeve të parashikuara nga ligji anglez i emigracionit.
Së bashku me ish-punonjësin e ambasadës britanike, si i bashkakuzuar është edhe 39 vjeçari Samuel Fongho.
Të dy akuzuarit gjatë seancës preliminare në gjykatën e krimeve “Southwark Crown Court” në Londër i kanë mohuar akuzat.
Ndaj Mark Griffith me origjinë nga qyteti Norwich, rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës në një zyrë shtetërore gjatë periudhës 1 Dhjetor 2005 deri më 1 Maj 2007.
Samuel Fongho banues në zonën Middlesex në Londër, akuzohet për këshillim dhe prokurim, që çuan në neglizhimin e detyrës nga zoti Griffith.
Fongho akuzohet edhe për konspiracion në përdorimin e instrumanetave të falsifikuar.
Ai nuk është diplomat por punon si menaxher i një kolegji dhe agjencie punësimi në Londër.
Gjykatësi John Price vendosi datën 6 Qershor 2011 për të zhvilluar procesin gjyqësor që parashikohet të zgjasë katër deri në gjashtë javë.
Ministria e Punëve të Jashtme britanike “Foreign Office” nëpërmjet zëdhënëses së saj nuk ka pranuar të komentojë rreth këtij rasti por ka konfirmuar se Mark Griffith ishte një diplomat i cili merrej me shqyrtimin e vizave të punës duke shërbyer në këtë detyrë prej Gushtit 2005 deri në Maj 2007 kur ai është larguar nga puna pas një hetimi të brendshëm.