Detyrat në demokraci janë të ndara, por kur fronti i integrimit në krahun e shumicës pëson çarje si këto që ka vënë në dukje KE, opozita duket të jetë aty për të marrë përgjegjësi të shtuara dhe për të mos e lënë aspiratën të lëkundet
Nga Preç Zogaj
Megjithëse dëshpërues, refuzimi i kërkesës së Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin e Europian ishte një lajm i pritshëm. Fati i kësaj kërkesë filloi "të shkruhej" qëkurse kryeministri Berisha ngulmoi ta dorëzonte në kokë të tij, në vigjilje të fushatës elektorale të 28 qershorit 2009. Partnerët kryesorë europianë, që ishin hëm zot shtëpie, hëm juri për atë që po kërkonte kryeministri, patën sugjeruar dashamirësisht se Shqipëria nuk ishte ende gati dhe prandaj duhej të priste një moment tjetër për të hedhur këtë hap. Por Berisha e kishte ndarë mendjen. Ai mund ta dinte se, duke përjashtuar ndonjë arsye madhore, Europa nuk e sforcon kalendarin e vet të zgjerimit për hir të interesave apo trilleve politike të drejtuesve në vendet aspirante. E dinte se nuk ekzistonin arsye madhore apo arritje madhore që Europa të bënte përjashtim me Shqipërinë. Madje, Shqipëria që po rrëshqiste në kulturën e pandëshkueshmërisë së korrupsionit dhe abuzimeve shtetërore, ishte akoma larg standardeve për t'u kualifikuar si vend kandidat në BE. Në këto rrethana aplikimi ngulmues i kryeministrit të Shqipërisë kishte domethënien e një replike të nënkuptuar me kalendarin e zgjerimit dhe me vlerësimet e reportereve. Kjo e bënte akoma më të pashpresë dhe akoma më të çuditshëm këtë aplikim. Por në atë periudhë, kryeministrit ndoshta nuk i interesonte përgjigja, por thjesht ceremonia e dorëzimit, që do ta përfshinte në paketën e spoteve elektorale! Me përfundimin e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, Berisha u fokusua te vizat. Qeveria e re, megjithëse e vetpërcaktuar si qeveri e integrimit, filloi ta shihte çështjen e statusit si një lojë me qarin: po të na e japin pa bërë asgjë, shumë mirë. Po nuk na e dhanë, na mjaftojnë vizat! Lojëra të tilla janë një licencë dhe një kushtrim për qeverisjen e keqe. Europa e sotme jo vetëm nuk e çon në mendje t'i promovojë, por i përbuz dhe i dënon. Sidomos në periferinë e saj, ku demokracitë e reja janë gjithnjë nën kërcënimin e kastave të korruptuara. Përgjigjja për qeverinë shqiptare në këtë fazë ishte një "jo" e panegociushme. Siç e thamë më sipër, befasia nuk është refuzimi në vetvete. Refuzimi, sipas mendimit tim, lidhet shumë me kontekstin e aplikimit. Refuzimi do të ndodhte edhe po të kishim bërë mirë disa nga detyrat e shtëpisë të vitit të kaluar. Një refuzim i tillë, gjithsesi, nuk do të ishte një lajm aq i keq, po të mbajmë parasysh faktin se koha punon për integrimin dhe shanset e reja presin përpara. Por befasia e vërtetë apo lajmi i keq, që duhet të zgjojë opinionin publik, të shkundë partitë dhe të tronditë elitën politike drejtuese në vend ka të bëjë me arsyet e refuzimit të statusit. Këto arsye do t'i gjejmë të renditura qartë, sertë dhe ftohtë në raportin e ecurisë njëvjeçare të Shqipërisë në rrugën e integrimit europian. Gazetat kryesore të vendit i kanë publikuar me korrektësi këto arsye. Publiku tani i njeh dhe di t'i peshojë sa rëndon tjetra. Nuk është vetëm kriza politika. Madje mund të themi se kriza politika është lajmi i mirë i mospajtimit të opozitës me deformimet e rënda që po pëson shteti i së drejtës në shumicën dërmuese të institucioneve. Janë hartuar edhe më parë raporte për Shqipërinë nga Europa. Janë bërë vlerësime pozitive për fushat ku ka pasur progres nga një vit në tjetrin. Janë listuar probleme, detyra shtëpie, rekomandime. Në përgjithësi, në kapitullin e problemeve ka prevaluar gjuha diplomatike, gjuha e mirësjelljes, që presupozon se pala shqiptare di të lexojë drejt në brendësi të saj. Por në raportin e fundit kemi një ndryshim të madh në rrafshin e parashtrimit dhe komunikimit të problemeve tona në vështrimin europian; kemi një ikje nga gjuha e rrumbullakosur diplomatike drejt një adresimi shumë më të qartë e shumë më konkret të shkeljeve, vërejtjeve dhe përgjegjësive sipas institucioneve. Sa më thellë futet Europa në Shqipëri, aq më mirë e kupton si i do mushka drutë. Meqenëse nuk po shkon Muhameti te mali, po shkon mali te Muhameti. Domethënë, meqenëse nuk po e mëson qeveria dhe elita politike gjuhen e Europës, po i u futet Europa mësimit të shqipes politike për t'i komunikuar drejtpërsëdrejti mesazhet e saj. Asnjëherë nuk është folur si kësaj radhe në mënyrë direkte për sëmundjet e parlamentit dhe parlamentarizmit shqiptar, që ka degraduar, nga një instancë supreme e përfaqësimit të pushtetit të popullit, siç duhet të ishte, në një bisht të ekzekutivit. Asnjëherë nuk është folur në mënyrë direkte si kësaj radhe për drejtuesit e institucioneve kryesore, ku spikat vlerësimi i keqpërdorimit të pozicionit nga kryetarja e Kuvendit. Asnjëherë nuk është shkruar kaq saktë për korrupsionin, për gjendjen e rëndë të mediave, për politizimin e sistemit të drejtësisë. Në asnjë dokument të mëparshëm nuk është adresuar si në këtë raport përgjegjësisë e qeverisë për krizën politike. Raporti nuk lë asnjë ekuivok kur shkruan se "qeveria nga ana e saj nuk ka treguar gatishmëri për kompromis në lidhje me propozimet e bëra nga Partia Socialiste për të tejkaluar ngërçin politik". Raporti paralajmëron rreziqet e thellimit të borxhit publik, ndërkohë që ripërsërit, kësaj radhe me një ton me të rëndë e madje funebër, ngulitjen e kulturës së pandëshkueshmërisë për shkeljet e ligjit. Ligji nuk i kap më peshqit e mëdhenj dhe kjo rrezikon të na ktheje më imazhin e një vendi me regjim junte. Raporti në fakt është jehona e përpiktë e problemeve të vërteta të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Për zakon, për oportunitet, për demagogji, qeveria si gjithnjë, në ato pak prononcime që ka bërë, i ka konsideruar vërejtjet e Europës "ndihmë e madhe" dhe rekomandimet e saj "detyra shtëpie". Ky është një lexim rutinë, që nuk dallon se kësaj radhe muzika ka ndryshuar. Ka arsye të mëdha për tu shqetësuar seriozisht se ky raport, në tërësinë e vlerësimeve kritike për Shqipërinë, ngre pikëpyetje serioze jo vetëm për vullnetin por edhe për kapacitetet e qeverisë dhe elitës politikë në përgjithësi për të vënë në binarë agjendën e ndërtimit të një demokracie si ajo që parasheh karta e Kopenhagenit për integrimin në Europë. Kjo përshtypje ka shijen e një lajmi shumë më të keq se sa refuzimi i statusit dhe defektet e listuara në raport. Raporti apelon për një reflektim të panjohur më parë nga qeveria, opozita, institucionet, opinioni publik. Për sa i takon qeverisë dhe opozitës, ky reflektim duhet të shprehet me paketa apo programe masash, nismash e qëndrimesh konkrete në përputhje me rekomandimet e KE-së. Qeveria duket qartë se i ka duart e lidhura për ta bërë këtë për shkak të grupeve dhe konfigurimit të interesave brenda saj. Kjo situatë mund të ndikojë që të kemi fjalë, por të mos kemi një projekt konkret të qeverisë për zhbllokimin e integrimit. Në këto kushte, opozita është thirrur në kauzë të marrë si asnjëherë tjetër më parë funksionet e institucionit të integrimit duke përgatitur një projekt të saj, në të cilin patjetër do të kërkojë të përfshijë e tërheqë gjithë spektrin politik dhe shoqërinë civile. Projekti i opozitës duket të jetë një reagim institucional i vendosur ndaj çështjeve kyçe që ka identifikuar raporti i KE-së; duhet të jetë përgjigje e qartë për çfarë kërkohet konkretisht prej saj në këtë raport; duhet të jetë njëherësh vizion i gjerë e bashkëkohor për ecurinë e integrimit europian të Shqipërisë. Detyrat në demokraci janë të ndara, por kur fronti i integrimit në krahun e shumicës pëson çarje si këto që ka vënë në dukje KE, opozita duket të jetë aty për të marrë përgjegjësi të shtuara dhe për të mos e lënë aspiratën të lëkundet.