Tiranë, 14 Nëntor 2010 NOA – Gazetari dhe publicisti Alban Tartari, vjen para lexuesve me një tjetër libër i cili u prezantua në mjediset e Panairit të Librit “Tirana 2010” i cili mbështete nga Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, për të tretin vit radhazi.
Libri “Fijeshpresë” me botues Universitetin “Epoka”, është një përmbledhje me poezi që autori Alban Tartari ka krijuar gjatë këtyre dhjetë viteve të fundit.
Në 100 faqet e vëllimit me poezi gjenden edhe përkthime të zgjedhura nga 14 autorë të njohur nga Turqia, gjuhën e së cilës ai e njeh shumë mirë.
Emra të njohur, si Nazim Hikmet, Nexhip Fazell, Orhan Veli, Xhan Jyxhel, Sezai Karakoc etj., janë poetët turq të përkthyer për herë të parë direkt nga turqishtja. Kjo pasi botimet e tjera të poezisë turke kanë ardhur në shqip nga gjuhë të tjera.
“Fijeshpresë” është redaktuar dhe mban parathënien e poetit dhe shkrimtarit të njohur, Agron Tufa, si dhe editimin e gazetarit Ramadan Cipuri.
e.r/NOA