English

Shkup, sot protesta kundër ligjit për regjistrimin e popullsisë

Shkup, 14 nëntor, NOA - Në Shkup sot do të mbahet protesta kundër Ligjit për regjistrimin e popullsisë në Maqedoni, i cili ka nxitur shqetësime nga opozita për mundësitë e manipulimit të procesit të regjistrimit me popullsinë dhe diasporën shqiptare.

Protesta e organizuar nga Demokracia e Re (DR) do të mbahet në ora 14.00 para Parlamentit të Maqedonisë, një ditë pasi që maxhoranca pritet të votojë ligjin e propozuar nga Qeveria e koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI.

Protesta deri tani është mbështetur nga disa subjekte politike, shoqata joqeveritare, personalitete politike dhe shoqërore si dhe nga organizatat e ndryshme shqiptare në diasporë.

Zëdhënësi i DR-së, Arianit Hoxha apeloi që të gjithë shqiptarët pavarësisht bindjeve të tyre partiake masovikisht të dalin në protestën e sotme.

“Bëjmë thirrje publike deri te të gjithë vëllezërit dhe motrat tona shqiptare që të na bashkëngjiten që qetë, me dinjitet dhe krenari të protestojmë kundër miratimit të Ligjit për regjistrimin e popullsisë që përjashton 30-40% të shqiptarëve në regjistrimin e vitit të ardhshëm”, theksoi për agjencinë e lajmeve INA, Arianit Hoxha.

Protesta do të mbahet me moton “Nuk regjistrohesh, nuk ekziston”.

NOA/INA

KOMENTE