English

Vallet indoneziane çelin bashkëpunimin me Indonezinë

Tiranë, 14 nëntor, NOA – Vallet tradicionale të Indonezisë, si ajo Pendet aq e njohur në Bali, apo vallja Piring që kërcehet në Sumatrën Perëndimore shënuan edhe nisjen e bashkëpunimit kulturor mes Indonezisë dhe Shqipërisë në një mbrëmje me muzikë e valle indoneziane të organizuar në mjediset e MTKRS-së nga ambasada e Indonezisë në gjendet në Bullgari.

Mbrëmja kushtuar muzikës indoneziane mori jetë sot falë nismës së ambasadorit indonezian, Immanuel Robert Inkiriëang, në praninë e ministrit Ferdinand Xhaferraj, ambasadorëve të vendeve të ndryshme të akredituar në Tiranë.

Republika e Indonezise ka më shumë se 300 grupe etnike dhe secili grup mbart identitetin e tij të zhvilluar gjatë shekujve dhe të influencuar nga kulturat Kineze, Indiane, Arabike dhe Europiane.

Andaj Indonezia ka shpallur si lajtmotiv kombëtar “Unity in Diversity”.

Programi i Koncertit përbëhej nga Vallja Pendet nga Bali; Vallja Piring e krahinës së Sumatrës Perëndimore; Lenggang Nyai nga Jakarta; Vallja e performuar nga grupi shqiptar i valleve; Vallja Nandak Ganjen nga Xhakarta; Vallja Pustipa; Vallja Tak Tong Tong; Vallja Bajidor Kahot Dance tradicionale në zonën perëndimore të ishullit të Javës; vallja Saman si dhe një valle shqiptare.

Me nismën e Ambasadorit të Indonezisë, në misionin e tij për të promovuar Indonezinë në Europë, pjesë e mbrëmjes kulturore indoneziane ishin copëza të artit, kulturës dhe të kuzhinës tradicionale indoneziane.

Ministri i TKRS-së, Xhaferraj tha gjatë mbrëmjes se “Ky lloj takimi me kulturën e një vendi të largët, na bën të kuptojmë se sa afër janë shpirtërisht popujt edhe kur ndodhen gjeografikisht shumë larg, njëri-tjetrit”.

Aktualisht, MTKRS po vazhdon procedurat për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit kulturor me Republikën e Indonezisë.

mit/NOA

KOMENTE