Hania, 15 Nëntor 2010 NOA – Frymën e fundit dha tragjikisht në asfalt një djalë 28 vjeçar shqiptar pasi u bë viktimë i një aksidenti fatal që ndodhi në Kretë, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.
Ngjarja ka ndodhur sot në rrugën pranë aeroportit të Haniasë në ishullin grek Kretë, kur emigranti 28 vjeçar shqiptar, i cili punonte tek agjencia e shpërndarjes së shtypit të përditshëm, ndërsa gjendej në makinën që shpërndante gazetat u përplas me një fugon.
Në këtë aksident mbeti i plagosur rëndë shoferi 34-vjeçar grek i makinës së shpërndarjes së shtypit ditor.
Policia greke tha se i riu shqiptar është viktima i 73-të në rrugët e Kretës përgjatë vitit që po mbyllet.
n.s/NOA