English

Ambasada kubane në Rrugën e Durrësit

Ambasada e Kastros, që mbylli dyert në vitet ’90. Atje në rrugën e Durrësit, ambasada e Kastros nuk jeton më. Nëpër natë nuk dëgjohet më e lehura e atij qeni të huaj. Nuk ngordhi qeni. Iku ambasada e shtetit të Karaibeve. I vetmi kujtim i largët, që ka mbetur është imazhi i asaj ambasade shurdhërie. Bluzat, librat apo çakmakët me figurën e Che-së. Eksportohen në këtë vend. Dikur na ëmbëlsonin me sheqer kubanez të prodhuar nga kallam sheqeri i Karaibeve. Sot eksportojmë vetëm bluza, çakmak, libra me të gjitha figura të Che-së. Çfarë mund të bëjë Che? Asgjë.

Nga Gëzim Llojdia*

Aty nga muzgu i viteve ’80, fytyra e Tiranës shquhej si një kryeqendër urbane modeste. Objekti qiellor për ne ishte 15-Katëshi. Në rrugëtimin tonë të përhershëm nga Instituti në kryeqendër kalonim përpara një ambasade në rrugën e Durrësit. Ambasada ishte një lloj bunkeri. Murre të lartë. Hekur dhe shurdhëri e madhe. Aty në qoshe të rrugës së Durrësit ambasada kubane ishte shenjë e një shurdhërie të përhershme. Muret e saj nxinin në dimër. Heshtja mbërthyer në hekura. Çdo ditë, që ne shkonim në kryeqendër zbrisnim tek kryqëzimi i udhës dhe shkonim përpara ambasadës të Fidel Kastros. Një pllakë e bukur ku shkruhej ambasada kubane ne gjuhën kubaneze. Netëve kur ktheheshim në institut prisnim autobusët aty pranë ambasadës. Një hije e zezë byllte krejt ndërtesën. Një e lehur qeni vinte nga ambientet brenda rezidencës diplomatike. E lehura e atij qeni ndihej nëpër natë, në atë kryqëzim të rrugës së Durrësit.

Një natë ne ishim tek “Kafe Flora”, një ndër ambientet e cila kishte fituar emër edhe nga një këngë e ndaluar festivali. Në mend, më riavijëzohej vargu i parë: “Kafe Flora mbushur plotë...”. Në të vërtetë, kjo kafene e vetmja, që kishte nur gjithë kohës ishte plot.

Kur dolëm nga “Kafe Flora” shkuam aty tek stacioni i përhershëm dhe ndjemë sërish të lehurat qenit kubanez brenda rezidencës. Pyetja që na kishte vënë shpesh në mendime ishte se ajo ambasadë ishte aty formalisht. Kastrua nuk ishte i preferuar nga udhëheqësit komunistë të Tiranës. Madje nga vitet ‘64 në Tiranë kishte ardhu dora vetë Che Guevara, udhëheqësi i revolucionit kuban. Che ishte vrarë në vendet e Amerikës Latine i rrethuar nga ushtria kandisur si mos më keq. Kisha lexuar rrëfimin e një mësueseje vetëm pas viteve ’90 për kohën kur Che u suall nga trupat qeveritarë në atë shkollë dhe më pas u ekzekutua. Aty nga viti 2008 në qytetin antik Amantia më erdhi nja amerikano-kubanez. Ai ishte dr. në arkeologji dhe gjatë një shërbimi të kryer në këtë qytet sipër maleve të luginës, Denis mbante një bluzë me një foto të Che.

“E njeh këtë? - e pyetëm”. “Po, - u përgjij, - është Che”.

Dr. i arkeologjisë më tha se ishte larguar shpejt nga Kuba dhe se atje ishte një mjerim i madh. Në Karaibe, njerëzia ashtu si në fillim viteve ’90 në Shqipëri flisnin vetëm për bëmat e shkuara të revolucionit. Kandilit të Kastros i kishte mbetur vetëm pak vajgur. Miti i tij në vendin tonë ishte shuar herët. Andej më sa më kujtohet eksportonim vetëm sheqer. Eksporti tjetër ishte pas viteve ’90 bluzat e stampuara me figurën e Che-së. Vetëm ai mund të eksportohej në bluza të zeza. Kur e kam parë dokumentarin për vrasjen e Che-së dhe pamjen që ishte kandisur në atë farë feje them se miti i tij lindi pas vrasjes së tij. Libra dhe bluza vërshojnë shumë në vendet që kanë njohur revolucionet dhe kanë njohur diktaturat. Nuk mund të përjashtohej Shqipëria, kur Che e kishte vizituar fshehtas.

Sidoqoftë Che ishte imazhi që mbetej pas një revolucioni të mbetur me shumë plagë, kanë vite që dhembin. Edhe shfaqja e kujtimeve në medien shqiptare për ardhjen në kryeqendrën shqiptare të Che-së më kujtonte atë vend të mbyllur, të strukur atë ambasadë fortesë në rrugën e Durrësit ku shkruhej ambasada kubaneze. Asnjëherë nuk arritëm të shikojmë fytyrat e diplomatëve të atij vendi kubanez. Ashtu si shteti i mbyllur atje në Karaibe pas revolucionit kundër Batistës, në kryeqendrën tonë në rrugën e Durrësit ndër vite jetoi edhe një ambasadë e një shteti.

Ambasada e Kastros, që mbylli dyert në vitet ’90. Atje në rrugën e Durrësit, ambasada e Kastros nuk jeton më. Nëpër natë nuk dëgjohet më e lehura e atij qeni të huaj.

Nuk ngordhi qeni. Iku ambasada e shtetit të Karaibeve. I vetmi kujtim i largët, që ka mbetur është imazhi i asaj ambasade shurdhërie. Bluzat, librat apo çakmakët me figurën e Che-së. Eksportohen në këtë vend. Dikur na ëmbëlsonin me sheqer kubanez të prodhuar nga kallam sheqeri i Karaibeve. Sot eksportojmë vetëm bluza, çakmak, libra me të gjitha figura të Che-së. Çfarë mund të bëjë Che? Asgjë. Llagëmi i ftohtë ku u kall pas dyzet vitesh e ka tretur gjithçka. Tashmë ka mbetur vetëm balta e ftohtë. Ajo shtrojerë tashmë ka hapur gojën. Pretë Kastron. I fundit nga revolucionarët e shekullit të njëzetë.

Shokët e tij kanë vite që e kanë ngrënë çairin. Pas kësaj, çfarë do të bëhet në ishull?

Vetëm Zoti e di se ç’udhë ka. Ndërsa tek ne nëpër tregje do të shiten figura të Che-së. Ndërsa atje tek rruga e Durrësit nuk ka më asnjë gjurmë. Ikin kohët. Gjurmë shumë pak.

*Shkrim i dërguar nga autori

KOMENTE