Tiranë, 15 nëntor, NOA/ Irma Toptani – Kryeministri Sali Berisha akuzoi sot opozitën se po përbalt procesin e liberalizimit të vizave, një arritje personale siç e quajti shefi i qeverisë për çdo qytetar shqiptar.
Shefi i mazhorancës gjatë mbledhjes së grupit kuvendor demokrat, theksoi se PS ka bërë përpjekje për të penguar procesin, pasi sipas tij edhe në drekën në kur merrej vendimi, 99-it e Edvinit u deklaronin kolegëve se vendimi do të jetë negativ.
“U përpoqën me çdo mënyrë të shpifin dhe të djegin interesat e qytetarëve, vetëm e vetëm se ky ishte premtimi i qeverisë sonë”, tha kryeministri.
“Këta shokë që për vete bredhin nëpër Europë me pasaporta diplomatike me paratë e lepujve këta qarkulluan nëpër Shqipëri me moton “hap kutitë çliro vizat”, nënvizsoi kryeministri.
Një moto të tillë tha Berisha kurrë ndonjëherë ndonjë forcë poltike nuk e kishte ndërmarrë kundër qindra mijëra qytetarëve, që kishin si ëndërr të lëviznin të lirë nëpër Evropë, dhe të shëtisin e të shohin të lirë visaret e qytetërimit perëndimor.
Sipas kryeministrit opozita vazhdon të mohojë këtë ëndërr të qytetarëve me shpirtkazmëri të tmerrshme.
“Shpirtkazmëria e tyre vijon edhe këto ditë dhe gjuha është përqendruar në dy linja kryesore si mbrojtja e Enverit deri tek dokumentarët me baba çelin, një propagandë vulgare që po synon me çdo kusht të çojë në Europë mesazhet më negative”, tha Berisha. Në këtë suazë kryeministri deklaroi se “Ata që për vete organizuan dasmën më gjigante për gëzimin e tyre ata s’mund të tolerojnë të tjerët të kenë gëzim”.
Ai iu drejtua shefit të Opozitës, Edi Rama, që të mos bëhet primitiv duke u thënë se tani shqiptarëve u duhen mijëra euro për të dalë nëpër Evropë, një propagandë kakofonie siç e quajti ai, për një ëndërr të realizuar që është një vendim dhe një kartolinë personale për çdo shqiptar.
“Ky ishte premtimi ynë që u realizua jo si një dhuratë, por si një meritë pas reformave të thella, pasi çdo votë në parlament ishte një akt reformues”, tha berisha duke i kujtuar PS-së se socialistët erdhën në kuvend të votonin vetëm për imunitetin e Beqjas, ndërsa për vizat e shqiptarëve nuk erdhën për të votuar.
“Kësaj propagande duhet t’i kundërvihem dhe jam i bindur se shqiptarët do të hedhin pas të gjitha shpifjet nëpër letrat e fshehta drejtuar Europës”, sqaroi Berisha duke u kërkuar deputetëve demokratë të zbresin në bazë e të takohen me zgjedhësit ku t’uu spjegojnë rregullat e procesit të lëvizjes së lirë.