English

Berisha në panair: Shitja e librit, lakmus i dëshirës për art dhe kulturë

Tiranë, 15 Nëntor, NOA - Kryeministri Berisha vizitoi sot panairin e 13 të librit “Tirana 2010", në Pallatin e Kongreseve, i cili sponsorizohet për të tretin vit radhazi nga agjencia e Lajmeve NOA.

Kryeministri Berisha, duke u ndalur në stendat e panairit, ku në edicionin e këtij viti marrin pjesë 80 subjekte botuese, shprehu kënaqësinë për vëmendjen në rritje për librin në vend, çka dëshmon ambicie pozitive të qytetarëve për art dhe kulturë, por edhe entuziazëm të ekonomisë së vendit.

Në një prononcim për mediat, pas vizitës në panair, kyeministri Berisha u shpreh se do që t’i përshëndesë të gjithë “shtëpitë botuese, shkrimtarët, përkthyesit e organizatorët e këtij panairi të fuqishëm, ndër më të mëdhenjtë dhe më modernët për librin në historinë e vendit. Kënaqësia ime ishte e madhe kur mësova se shitjet e librit këtë vit kanë qenë disa herë më të mëdha se vitin e kaluar”.

“Shitja e librit është një lakmus i ambicies pozitive të qytetarëve për art dhe kulturë, por nga ana tjetër, duhet të jemi të hapur, është dhe një lakmus i entuziazmit të ekonomisë së vendit. Me këtë rast, dua të përgëzoj autorët. Natyrisht, unë do lexoj “Mosmarrëveshjen” e Ismail Kadaresë dhe një seri veprash të tjera. Do të lexoj edhe “Hirin e vullkanit”, me autorin e të cilit isha Bruksel. Mua më frymëzoi Brukseli, ndërsa atë e frymëzoi Islanda. Ne rrugën e bëmë bashkë, por frymëzimet i patëm të ndryshme. Por pavarësisht, vullkani përbën një forcë pa diskutim frymëzuese”, tha Berisha.

n.e/NOA

KOMENTE