Gjirokastër, 15 Nëntor, NOA - Unioni i Gazetarëve të Gjirokastrës, dënoi sot me anë të një deklarate për shtyp, dhunën e ushtruar ndaj gazetarit Piro Nase, i cili është njëkohësisht kryetar i këtij institucioni mediatik në qytetin jugor.
Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur në orët e mbrëmjes së djeshme, kur në afërsi të banesës së tij në lagjen Pazari i Vjetër, dy persona të panjohur, kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij.
Mbarimi i dhunës ndaj tij, është shoqëruar me fjalinë ironike dhe kërcënuese “Tani, shkruaj prapë tek gazeta ato që shkruan”, ndërsa në trupin e të dëmtuarit, vërehen shenja të qarta dhune në pjesën e fytyrës dhe poshtë nofullës.
Për këtë rast, i dëmtuari gazetari Piro Nase, ka bërë denoncim në organin e akuzës së Gjirokastrës, si dhe ka vënë në dijeni Policinë Rajonale për të identifikuar autorët e agresionit fizik të ushtruar ndaj të dëmtuarit duke i vendosur ata para ligjit.
Unioni i Gazetarëve të Gjirokastrës, kërkon nga organet e ligjit, të identifikojnë personat që ushtruan dhunë ndaj gazetarit dhe kryetarit të tij.
n.e/NOA