Shkup, 15 Nëntor, NOA – Zyrtarë grekë hoqën emrin kushtetues Republika e Maqedonisë në një hartë rajonale në kuadër të një sesioni parlamentar të NATO-s në Varshavë.
Delegacioni grek i përbërë nga deputetët grekë të partive LAOS, PASOK dhe Nea Demokratia bllokuan punimet e sesionit parlamentar të NATO-s, pasi vërejtën se në hartën e kësaj konference Maqedonia ishte shkruar me emrin kushtetues Republika e Maqedonisë.
Kjo shkaktoi reagimin e deputetëve grekë, të cilët bllokuan punimet deri në heqjen e këtij gabimi dhe zëvendësimin e emrit të shtetit me FYROM.
Deputetët grekë të revoltuar, apeluan që strukturat e Aleancës Atlantike të evitojnë gabime të tilla që nxisin provokime.
NOA-INA