English

Imami: Udhëzuesi mbi të drejtat e njerëzve me uniformë afrim me standardet e NATO

Tiranë, 15 nëntor, NOA - Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, mori pjesë në Konferencën Kombëtare mbi “Të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore të Personelit të Forcave të Armatosura Shqiptare”, e cila u zhvillua për promovimin e Udhëzuesit mbi të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut të Personelit të Forcave të Armatosura Shqiptare.

Ky dokument është përkthyer edhe në gjuhën shqipe dhe është një botim i cili përmbledh orientimet kryesore të OSBE-së, Këshillit të Europës, OKB-së apo Bashkimit Europian, por njëkohësisht paraqet edhe modele të praktikave më të mira të vendeve të ndryshme mbi zbatimin dhe kontrollin e të drejtave të njeriut në personelin e Forcave të Armatosura.

Në fjalën e tij përshëndetëse, ministri Imami, theksoi se “Vendi ynë dhe Forcat e Armatosura, janë të përfshira tërësisht në objektiva ambiciozë transformimi të vazhdueshëm në të gjithë komponentët e mundshëm për të përsosur më tej standardet funksionuese dhe të vlerave si gjithë vendet e tjera të demokracive të konsoliduara. Vetë ky proces nuk mund të ecë me ritmet e duhura pa u ndalur edhe në këtë çështje që ne diskutojmë sot, apo pa siguruar investimin kapital të kapaciteteve njerëzore të institucioneve tona”, tha Imami.

Sipas tij, ky përafrim kapacitetesh kërkon edhe një respektim gjithmonë e më të merituar të lirive dhe të drejtave të Forcave të Armatosura.

“Në këtë kuadër, tha ministri i Mbrojtjes, “ne jemi angazhuar për të ripunuar të gjitha ligjet dhe aktet nënligjore mbi të cilat mbështetet jeta dhe veprimtaria e FA, pasi sigurimi i të drejtave të njeriut në Forcat e Armatosura, është i një rëndësie të veçantë, pasi kontribuon në formimin e një ushtrie të integruar fuqishëm në shoqëri, sikundër vlerësoi ministri Imami.

Ministri i Mbrojtjes theksoi sakaq se “Shqipëria, qeveria shqiptare, po kështu edhe Ministria e Mbrojtjes është tërësisht e angazhuar për t’i vlerësuar e punuar që ashtu si integrimi në NATO, liberalizimi i vizave, por edhe integrimi i mëtejshëm në Bashkimin Europian në të ardhmen të jetë një proces i bazuar mbi reformat, arritjet dhe meritën”.

Botimi i këtij udhëzuesi, tha Imami, konsolidon dhe na ndërgjegjëson për çështje të ndryshme si: të drejtat civile e politike, barazia dhe mosdiskriminimi, por gjithashtu edhe shume çështje të rëndësishme të rekrutimit, kushteve të punës dhe karrierës, pasi ai përcakton më së miri respektimin e të drejtave dhe lirive të njerut në uniformë si pjesë e një shoqërie të lirë e të emancipuar, një udhëzues që s’duhet të mbetet vetëm një projekt në letër, por të marrë jetë për të përmbushur misionin për të cilin ai është hartuar.

mit/NOA
KOMENTE