English

Kryeministri rrëfehet në Panairin e Librit për udhëtimin me Fevziun në Bruksel

Berisha viziton stendat e shtëpive botuese, pjesëmarrëse në Panairin e 13- të të Librit “Tirana 2010" që për të tretin vit radhazi mbështetet nga Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA

Tiranë, 15 Nëntor 2010 NOA/ Rid Bulku - Kryeministri Sali Berisha vizitoi sot panairin e 13-të të librit “Tirana 2010", në Pallatin e Kongreseve. Kryeministri Berisha, duke u ndalur në stendat e panairit.

Berisha vuri në dukje se shitja e librit është një lakmus i ambicies pozitive të qytetarëve për art dhe kulturë, por nga ana tjetër, duhet të jemi të hapur, është dhe një lakmus i entuziazmit të ekonomisë së vendit.

Ai theksoi se në këtë panair kishte vepra të mrekullueshme, të të gjitha zhanreve, të nobelistëve, të historianëve, të filozofëve.

“Unë mendoj se me këtë larmi të madhe dhe cilësi të vërtetë të veprave të përkthyera, bibliotekat e shqiptarëve do të bëhen shumë më të pasura”, - tha shefi i Qeverisë.

“Me këtë rast, dua të përgëzoj autorët. Natyrisht, unë do të lexoj “Mosmarrëveshjen” e Ismail Kadaresë dhe një seri veprash të tjera”.

Kurse ka zbuluar: “Do të lexoj edhe “Hirin e vullkanit”, me autorin e të cilit isha Bruksel”, duke iu referuar romanit të Blendi Fevziut dhe shtoi: “Mua më frymëzoi Brukseli, ndërsa atë e frymëzoi Islanda. Ne rrugën e bëmë bashkë, por frymëzimet i patëm të ndryshme. Por, pavarësisht, vullkani përbën një forcë pa diskutim frymëzuese”.

Në edicionin e këtij viti në Panairin e 13- të të Librit “Tirana 2010" që për të tretin vit radhazi mbështetet nga Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA marrin pjesë 80 subjekte botuese.

Ndaj Berisha shprehu kënaqësinë për vëmendjen në rritje për librin në vend, çka dëshmon ambicie pozitive të qytetarëve për art dhe kulturë, por edhe entuziazëm të ekonomisë së vendit.

“Dua t’i përshëndes të gjithë shtëpitë botuese, shkrimtarët, përkthyesit dhe organizatorët e këtij panairi të fuqishëm, ndër më të mëdhenjtë dhe më modernët për librin në historinë e vendit. Kënaqësia ime ishte e madhe kur mësova se shitjet e librit këtë vit kanë qenë disa herë më të mëdha se vitin e kaluar”, - tha Kryeministri.

r.b/NOA

Shihni te gjitha fotot te Galeria

KOMENTE