English

Lëvizja Vetëvendosje! zgjerohet në Prishtinë

Prishtinë, 15 Nëntor, NOA - Në kuadër të organizimit dhe shtrirjes së rrjetit të saj, Lëvizja Vetëvendosje! ditëve të fundit ka formuar disa Këshilla për Zhvillimin e Pikave nëpër lagjet e Prishtinës. Duke pasur parasysh që programi i Lëvizjes Vetëvendosje! mund të realizohet vetëm në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët e Kosovës, zgjerimi i rrjetit nëpër lagjet e qyteteve dhe nëpër fshatrat e Kosovës përbën pjesën më të rëndësishme të aktivitetit të Vetëvendosje! në terren. Fundjavën e kaluar kjo lëvizje ka mbajtur 32 tubime publike me qytetarët anembanë Kosovës, prej të cilëve katër në kryeqytet.

Të shtunën u mbajt tubimi në shkollën fillore “Asim Vokshi” në lagjen Kodra e Trimave, ku në këtë tubim ishin të pranishëm, përveç anëtarëve nga Këshilli për Zhvillimin e Qendrës së Prishtinës, edhe Albin Kurti si dhe kandidati i Vetëvendosje!-s për deputet Nazmi Mikullovçi.

Albin Kurti e hapi tubimin duke u duartrokitur fuqishëm nga qytetarët kur kujtoi kohën e demostratave studentore të vitit 1997 “Kur e mbajtëm demonstratën e 1 tetorit në vitin 1997, pasi na burgosën, policia serbe na tha se i kishin shpërndarë demonstruesit në Velani, por se demonstrata kishte vazhduar në Kodrën e Trimave”, tha Kurti.

Më pas, Albin Kurti, shpalosi programin e Vetëvendosje!-s ku u ndal në pika të veçanta si, sovraniteti, zhvillimi ekonomik dhe drejtësia, ku ndër të tjera theksoi se vitet 2010 dhe 2011 do të jenë vite të ndryshimeve të mëdha.

Më pas, Nazmi Mikullovçi prezantoi më në detaje programin ekonomik të Vetëvendosje!. Prezantimet u pasuan nga një debat i gjatë me qytetarët e pranishëm të cilët shfaqen brengën për hallet e tyre, mirëpo edhe shprehen interesimin për t’iu bashkuar Vetëvendosje!, duke u anëtarësuar e organizuar në Këshillin për Zhvillimin e Pikës për lagjen Kodra e Trimave.

n.e/NOA

KOMENTE