Fier, 15 nëntor, NOA - Një premierë e suksesshme, e cila riktheu në Fier autorin dhe regjisorin Pëllumb Kulla, “Milioneri” është drama satirike, që u vu në skenën e Teatrit “Bylis” me ndihmën e asistentëve Arqile Lici e Dafina Llupi, dhe me skenografi të Pano Kondos e muzikë të Fatos Qerimit.
Ansambli i aktorëve me mjaft përvojë, përfaqësuar nga Luftar Paja, Artisti i popullit; Hasan Bregu, si dhe të ardhurit nga Italia e Greqia, Astrit Hasani e Arqile Lipe, Artist i merituar; si dhe mjaft të tjerë, si Fatmir Xhelili, Vasil Vaso, risollën në skenë emrin e madh të teatrit fierak.
Luftar Paja në rolin kryesor rikthehet si përfaqësues i atij brezi që ka frymëzuar Kullën për të shkruar dhe vënë në skenë dramën satirike “Milioneri”.
Një dramë që flet për problemet e brezit të tretë, pensionistët e lënë në harresë nga shteti, por edhe nga fëmijët e tyre.
Drama satirike e autorit Pëllumb Kulla ka në qendër të saj një të moshuar i cili, i braktisur nga fëmijët e vet në emigracion, vendos t’i japë fund jetës, por pikërisht në ato çaste kur ai merr vendimin sublim, i bie një lotari prej 250 milionë lekësh.
Ngjarjet, që zhvillohen më pas janë sa komike dhe tragjike, duke vijuar njëra-tjetrën, ndërsa batutat e humorit larg banalitetit mbajnë gjallë rrjedhën e ngjarjeve.
Pas peripecish, i moshuari, që erdhi në skenë nën interpretimin brilant të Luftar Pajës, shpëton, por paratë, që i solli fati në prag të vdekjes, ai i lë duke paguar bluzat e bardha. Jeta e tij vazhdon ashtu siç ishte para se ta takonte fati…
Drama satirike do të shfaqet më 15 dhe16 nëntor, ndërsa në premierë ishte i pranishëm edhe autori dhe regjisori i pjesës, Pëllumb Kulla.
m.s/mit/NOA