Tiranë, 15 Nëntor, NOA – “Më lejoni të konfirmoj qëndrimin tonë se propozimin për ecurinë e komisionit të hetimit parlamentar e ka bërë kryetari i PS, me 38 firma, i cili konsiston me kërkesën që nuk merremi fare me kutitë e fletëve të votimit, por hetimi të përqendrohet vetëm te kutitë e materialeve të votimit. Në të cilat është i mbyllur i gjithë manipulimi zgjedhor i zgjedhjeve të 2009. Të gjitha mashtrimet e tjera që bën kryeministri Sali i bën për të fituar kohë, po kot e ka se nuk mund të fitojë kohë”.
Kështu ka pohuar në një deklaratë për shtyp, përfaqësuesi i Opozitës së Bashkuar, Spartak Ngjela, duke shtuar edhe lajmërimin për protesta.
“Aspekti i dytë. Çdo qeveri që ka aplikuar për të marrë Statusin Kandidat në BE me atë përgjigje që i dha institucioni politik i BE nuk mund të qëndrojë më. Kryeministri duhet të jepte menjëherë dorëheqjen në rast se ka dhe një yndyrë prej dy gram perëndim në konstitucionin e tij. Arsyet e refuzimit të kësaj kërkese janë qëndrimi anti-perëndimor permanent prej 20 vjetësh të kryeministrit aktual. Karakteri tiranik i sistemit që ka vendosur. Manipulimi i zgjedhjeve prej tij në 2009 dhe e fundit korrupsioni banal e gjigant në të gjitha poret e administrimit në shoqërinë shqiptare”, tha Ngjela.
Duke shtuar në fund, se nuk ka asnjë rrugë tjetër me përjashtim të protestave, gjej rastin tju them gjithë popullit opozitar se do ta mbështesim kërkesën e tyre për rrëzimin e kësaj qeverie sepse është fatkeqësi kombëtare, mungesë zhvillimi, papunësi, varfëri ekstreme, mbledhje dhe mitingje funebre, pseudo-festash që i bën thirrje shqiptarëve që me avion të lënë Shqipërinë.
“Kurrë nuk do ta arrijë atë ky kryeministër dhe kurrë nuk do ta lejojmë më të qeverisë me këtë formë tiranike në Shqipëri”, përfundoi ai.
n.e/NOA